(VIDEO) MANASTIRI GATI PËR 108 VJETORIN E ALFABETIT, 11 ANËTARËT E KONGRESIT NË SKULPTURA SILIKONI!

1641
0
SHPËRNDAJE

Gjergj Fishta me Mit’hat Frashërin dhe anëtarët e tjerë të komisionit që hartuan alfabetin e gjuhës shqipe, do të promovohen në Ditën e alfabetit më 22 nëntor në Manastir. Në përvjetorin e 108 vjetorit të këtij kongresi, godina e muzeut të alfabetit mbetet autentike nga jashtë, me që asgjë nuk është investuar, thonë banorët vendas. Drejtori i këtij instituti nacional, Nuer Arsllani thotë se këtë vit janë marrë vetëm me rinovimin e brendshëm të godinës, për të cilën, Ministria e Kulturës ka ndarë rreth 10 milion denarë.

“Në hapësirat e Institucionit nacional: Muzeu i alfabetit të gjuhës shqipe, janë bërë disa investime, ku më 22 nëntor, në përvjetorin e alfabetit të gjuhës shqipe do të bëjmë hapjen solemne të dhomës përkujtimore të komisionit që e hartoi alfabetin. Vendosja e 9 figurave me veshje kombëtare, në pesë vitrina muzeore, dhe besoj se me këto dy projekte, muzeu do ta fitoj vlerën dhe pamjen e duhur”, tha ai.

Me enterierin nuk kemi probleme thotë Behixhudin Shehapi, nga Ministria e Kulturës, duke shtuar se duhet të mbrohet autenticiteti i ambientit të brendshëm ashtu siç ka qenë gjatë mbajtjes së kongresit në atë kohë. Me marrjen e një fondi nga IPA, thotë ai, do të zgjidhen shumë çështje për tu dukur autentike godina e muzeut edhe nga jashtë. Gjithashtu, edhe dyqani i qeramikave që është në katin përdhese pritet që të dislokohet, duke i dhënë në kompensim dy lokale tjera, që janë në pronësi të shtetit.

“Ne presim një përgjigje nga IPA projektet, në kuadër të bashkëpunimit me IPA fondet, Ministria e pushtetit lokal dhe Ministria e Kulturës, kanë përgatitur një projekt. Vitin e ardhshëm, ne ashtu sikurse sivjet do të vizitojmë muzeun e alfabetit me një enterier të rinovuar, ndërsa në vitin e ardhshëm, me rastin e Ditës së alfabetit, vizitorët do të kenë atë kënaqësi që ta shohin  edhe objektin e restauruar”, tha Shehapi.

Në shënimin e përvjetorit të ditës së alfabetit, vitin e kaluar u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi në mes Ministrive të arsimit të Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë, për investime të përbashkëta në këtë vlerë kombëtare, por akoma nuk ka asgjë konkrete. Madje shtëpia muze e Kongresit të Manastirit nuk është as në agjendën e këtyre ministrive për të sjell në ekskursion nxënësit e shkollave nga këto vende, të paktën për të vizituar nga afër vendin ku u themelua alfabeti shqip, 108 vjet më parë.

Përgatiti: Adnan Qaili

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU