SHUMICA KËRKON MODUS PËR MBIJETESË TË PPS, EKSPERTËT SUGJEROJNË HEQJEN E NENIT 22 TË LIGJIT PËR PPS

418
0
SHPËRNDAJE

Brenda një kohe të shpejtë, pritet të dihet fati i Prokurorisë Publike Speciale e cila u formua me marrëveshje politike, me qëllim zbardhjen e aferave të përgjimeve, apo do të kërkohet mënyrë tjetër për trajtimin e këtyre rasteve. Edhe pse për momentin nuk zbulohen më shumë detaje për zgjidhjet e mundshme, një pjesë e deputetëve të LSDM-së thonë se tanimë po punohet në gjetjen e një modaliteti politik.

“Pres që të gjendet ndonjë modalitet politik edhe pse nuk besojmë se një gjë e tillë do të ishte e lehtë për t’u arritur me ata që nuk duan Prokuroria Speciale të funksionojë normalisht. Por jam thellësisht e bindur se edhe prokuroria publike shtetërore, detyrimin që të veprojë me profesionalizëm dhe sipas ligjit ndaj padive penale – do ta merr në mënyrë më profesionale”, u shpreh deputetja e LSDM, Frosina Remenski.

PPS ka afat prej 5 viteve t’i përfundojë tre procedurat para gjykatave, për të cilat ka ngritur aktakuza: “Transportuesi”, “Fortesa” dhe rastin për dhunën e ushtruar para komunës Qendër. Afati për ngritje të akuzave të reja skadon në fund të qershorit. Por ekspertët juridike të cilët i kontaktoi TV21 konsiderojnë se ekzistojnë disa mundësi që të vazhdohet afati për ngritjen e akuzave. Avokati Aleksandar Tortevski thotë se një nga opsionet është të hiqet neni 22 i Ligjit për PPS-në.

“Pas fillimit të hetimit, afati për ngritjen e akuzave për prokurorët që punojnë në prokurorinë e rregullt është 18 muaj, ndërsa për Prokurorinë Publike Speciale, në afatin prej 18 muajve hyn edhe periudha e procedurës parahetimore. Kjo nënkupton se mund të ngriten nisma para Gjykatës Kushtetuese për kontestimin e kushtetutshmërisë së nenit 22 në bazë të pabarazisë së prokurorëve”, tha Aleksandar Tortevski, Avokat.

Sipas Tortevskit, mundësia tjetër është që të arrihet një marrëveshje politike ndërmjet partive. Por, që ndryshimet ta kalojnë filtrin në Kuvend, nevojitet shumicë prej dy të tretave, ndërsa shumica parlamentare numëron vetëm 67 deputetë. VMRO-DPMNE haptazi është kundër bashkëpunimit me PPS-në. Ndërkaq, nga kjo prokurori shprehen se edhe ata janë duke shqyrtuar disa opsione, por u bëjnë thirrje politikave t’u mundësojnë që rastet e kriminalitetit që dalin nga bisedat e përgjuara telefonike t’i hetojnë deri në fund.

Përgatiti: Mihajllo Vidimlliski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU