RIKTHIMI I NEXHMIJE PAGARUSHËS ME NJË KËNGË KUSHTUAR NËNËS

1498
0
SHPËRNDAJE

E cilësuar si “Bilbili i Kosovës”, këngëtarja Nexhmije Pagarusha rikthehet me një projekt të ri shumë të veçantë dhe shpirtëror.

Nexhmije Pagarusha kësaj radhe vjen me një bashkëpunim me këngëtaren Yllka Kuqi, me një këngë tepër të veçantë dedikuar nënave.

Në një prononcim për Telegrafin, këngëtarja Pagarusha rrëfehet për këtë rikthim të veçantë pas kaq vitesh në skenë.

“Nuk e di a ka ndonjë njeri të paprekur nga ata që e kanë përjetuar vdekjen e prindit, e në veçanti të nënës, ideja për këtë këngë më ka mahnitur shumë, ndaj dhe ftesën e Yllkës e kam mirëpritur me kënaqësi”, shprehet ajo.

Teksti i këngës është bazuar në një ngjarje të vërtetë dhe është shkruar nga një vajzë e cila e ka humbur nënën, e ndjera e cila ishte njëkohësisht edhe mikeshë e ngushtë e këngëtares Pagarusha, një arsye më shumë për të marrë pjesë në këtë projekt.

“Tekstin e këngës e ka shkruar vajza e një shoqes sime të ndjerë, me të cilën kam pasur një miqësi shumë të mirë, ndërsa Yllka e ka kënduar në mënyrën më të mirë të mundshme”, shtoi më tej ajo.

Yllka dhe Nexhmija nuk janë të vetmet këngëtare të cilat do të marrin pjesë në këtë këngë, pasi në zërat përcjellës do të jenë Leonora Jakupi e Genc Prelvukaj, ndërsa protagonistë në klip janë aktorët e njohur të skenës kosovare : Ylber Bardhi, Fatos Kryeziu dhe Adriana Matoshi.

“Klipi ka përfunduar xhirimet para pak ditësh, jemi ndarë të kënaqur me realizimin. Unë vazhdoj t’u përgjigjem projekteve të veçanta në muzikë përderisa ende kam forcë, atëherë kur unë të të mos mundem, do të them mjaft”, ka përfunduar Nexhmije Pagarusha.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU