QEVERIA ME HUA TË RE PREJ 31.7 MILIONË EUROVE, EKSPERTËT: TRENDI I HUAMARRJES DUHET TË NDËRPRITET

1953
0
SHPËRNDAJE

Qeveria  nga kreditorët vendorë mori hua 31.7 milionë euro. Sipas kalendarit të ankandeve të letrave shtetërore me vlerë, Ministria e financave në bazë të borxheve të vjetra do duhet të kthejë 15.8 milionë euro. Tani për tani nuk ka informacione nga Ministria për çfarë do të përdoren paratë e mbetura nga huamarrja. Nga Ministria e financave për televizionin 21 thonë se institucioni i tyre me kujdes po vepron ndaj borxhit publik dhe se institucionet ndërkombëtare financiare vlerësojnë se niveli i borxhit është mesatar.

“Ministria e Financave në mënyrë të rregullt e zbaton buxhetin dhe çon politikë prudente të borxhit publik. Shumë institucione ndërkombëtare financiare, ndërmjet të cilave edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësuan se niveli i borxhit është mesatar, ndërsa tregu i letrave shtetërore me vlerë funksionon shkëlqyeshëm’’, nga Ministria e Financave.

Profesori universitar, Neritan Kurteshi theksoi se rritja e borxhit është një ndër problemet më të mëdha makro-ekonomike i cili do ta dërgon vendin në hiperinflacion. Sipas tij, nëse ky borxh e kalon shifrën e mbi 60 përqindëshit, Maqedonia e humb të drejtën për të qenë pjesë e sistemit monetar ndërkombëtar dhe Bashkimit Evropian.

“Pikërisht marrja e një borxhi të ri jep të kuptojmë se na pret një vit i vështirë financiar dhe një rrezik i lartë i financimit fiskal. Pikërisht kjo do të ndodhë nëse në nuk mundohemi që me ato instrumente qoftë edhe artificiale të mbajmë anën financiare por edhe të mbajmë politikën monetare  dhe fiskale të vendit tonë’’, tha Neritan Turkeshi, profesor universitar.

Analisti ekonomik, Venko Gligorov tha se këto huamarrje nuk janë të qarta dhe se vështirë mund të shlyhen pasi që Maqedonia ka një ekonomi të vogël.

“Shohim se rrogat nuk rriten, varfëria rritet kjo do të thotë se huamarrjet e këtilla janë jo funksionale, por edhe të jenë funksionale Maqedonia është në një ekonomi të vogël dhe është e nevojshme shumë më mirë të analizohet se a ja vlen që vendi të huazojë më tepër sepse kur është e vogël ekonomia çdo dridhje e vogël mund të shkaktojë mundësi të pakta për ta kthyer dhe kjo shkakton harxhime të mëdha për vet shtetin’’, tha Gligorov.

Nga Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore thonë se vazhdimisht kanë bërë thirrje që mos të merret borxh për çështje joproduktive. Kryetari i kësaj Ode, Nebi Hoxha tha se marrja e një borxhi të ri ndikon në rritjen e borxhit publik dhe ekonominë  e vendit.

“Siç e dimë borxhi i përgjithshëm publik ka arritur vlerën prej 4.7 miliardë euro ose 50.6 përqind nga bruto produkti vendor dhe është një vlerë të cilën duhet për ta menduar. Me rëndësi është që këto para publike të cilat i merr shteti të dihet se për çfarë i përdor. Ne si Odë Ekonomike gjithmonë kemi bërë apel dhe kemi qenë të zëshëm që këto para të ndalohen të merren për çështje jo produktive dhe kryesisht të përdoren për investime kapitale në shtetin tonë’’, u shpreh Nebi Hoxha, Kryetar i OEMVP.

Por, sipas të dhënave nga Ministria e financave, borxhi publik deri më 30 shtator 2016 është 3,9 miliardë euro.

Përgatiti: Armend Murseli

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU