MBI 85 MIJË XHIROLLOGARI TË BLLOKUARA NGA DHP, QYTETARËT KËRKOJNË QË PARAPRAKISHT TË NJOFTOHEN

1392
0
SHPËRNDAJE

Shumë qytetarë ankohen për bllokim të llogarive të tyre bankare, për shkak të mos pagesës së taksës radiodifuzive. Sipas shpalljes në gazetën zyrtare të muajit shtator, mbi 85 mijë prej tyre nga shtatori u janë bllokuar xhirollogaritë.

Remzi Memeti nga Shkupi thotë se këto vendime janë të padrejta, pasi që u bllokohet llogaria pa u informuar paraprakisht dhe se më pas duhet të paguajnë para shtesë për të zhbllokuar llogarinë e tyre bankare.

“Reagojnë në mënyrë të padrejtë, nuk është në rregull nuk më pëlqen ky regjim që e kanë vendosur sepse ne jemi shtet i vogël, të papunë dhe ata që janë të punësuar me të ardhura të ulëta dhe nuk është mirë të na bllokohet llogaria pa mos na njoftuar.  Duhet të jemi të paralajmëruar, të gjendet rrugëdalje, tek e fundit me këste të paguhet. Duhet të gjendet zgjidhje në lidhje me këta mangësi të cilat janë imtësira por janë të mëdha dhe të rëndësishme për popullin”, u shpreh Remzi Memeti, qytetar.

Por ka nga ata që thonë se nuk kanë probleme të këtilla dhe se janë pagues të rregullt.

“Unë jam i kënaqur çfarë kam gjithë e paguaj me kohë, gjithçka është në rregull, nuk kam asnjë problem’’, tha një qytetar.

Drejtoria e të Hyrave Publike në shtator publikoi në gazetën zyrtare listën prej 85.790 personave që u është bllokuar llogaria dhe të cilët me detyrim duhet të paguajnë borxhin. Nga kjo drejtoria sot nuk deshtën të prononcohen se si po zhvillohen masat lidhur me pagesën me detyrim të borxheve që kanë qytetarët.

Kritika për mënyrën e tillë të pagesës së detyruar nga DHP, ka reaguar Avokati i Popullit. Nga kjo zyrë theksuan se kanë shumë ankesa të qytetarëve lidhur me pagesën e taksës radiodifuzive. Sipas tyre, ka pasur shumë raste kur dërgohet faturë e taksës radiodifuzive qytetarëve që për më shumë se dy dekada nuk jetojnë në Maqedoni, apo rastet kur në një familje u vijnë fatura të dyfishta.  Taksa radiodifuzive ishte pjesë e fushatës së zgjedhjeve të fundit. LSDM paralajmëroi heqjen e saj, ndërsa nga kjo drejtori apeluan që të mos politizohet kjo çështje.

Përgatiti: Armend Murseli

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU