Lidija Georgieva në emisionin “10 minuta”: “Franca na i kujtoi ngjarjet e vitit 2001 në SHBA”

611
0
SHPËRNDAJE

“Ngjarjet në Francë na kujtuan ato të vitit 2001 kur në Amerikë u rrëzuan Kullat Binjake”, deklaroi profesoresha për Siguri ndërkombëtare Lidija Georgieva. Në intervistën për “10 minuta”, ajo shtoi se Bashkimi Evropian dhe fuqitë e mëdha nuk e kanë pritur këtë akt terrorist, duke pasur parasysh të dhënat nga Indeksi Global për terrorizëm, ku Franca nuk është renditur në 5 vendet më të rrezikuara nga terrorizmi.

“Mendoj se masat parandaluese nuk ishin të mjaftueshme në këtë rast,  por edhe në shumë të tjera. Fuqitë e mëdha siç janë: Rusia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, tani do të duhet të bëjnë një kohezion. Në fakt, ato, këtë e bëjnë që nga viti 2001, por me masa dhe politika të pamjaftueshme që i zbatonin atëherë. Duhej të kishin aksione të përbashkëta, të cilat duhej t’i shndërronin në vepra konkrete, për ngritjen e sigurisë dhe për parandalimin e terrorizmit.”

“Vendet me konflikte të brendshme, qofshin politike, etnike ose ekonomike, gjenden në rrezik nga terrorizmi,” konsideron Georgieva. Dobësia e këtyre vendeve në të cilën është përfshirë edhe Maqedonia, në kushte të krizës së refugjatëve  rritet edhe nga fakti se jemi jashtë proceseve euro- integruese dhe politikave kryesore ndërkombëtare.

“Në kushte të këtilla do të duhet të forcohet kontrolli i sigurisë së integruar. Madje do të ishte mirë të bëhen marrëveshje bilaterale me të gjitha vende fqinje, për masat dhe kontrollet në kufijtë, sa i përket refugjatëve. Kontroll të përforcuar për ta parandaluar tregtinë e paligjshme të armëve, sidomos edhe kanalet e financimit të terrorizmit.

BE-ja nuk duhet ta harrojë Maqedoninë  dhe vendet e tjera në rajon, të cilat një kohë të gjatë janë si tampon-zonë, dhe të etiketohen si hapësirë problematike dhe jostabile. Përmes politikës më aktive dhe me veprime më konkrete, Evropa do të duhet të ofrojë ndihmë dhe Ballkani të dalë nga ky percepcion”, shtoi profesoresha Georgieva.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU