FONDET IPARD 2, MBI 25 MILION EURO MË PAK PËR BUJQIT

632
0
SHPËRNDAJE

25,3 milionë euro më pak janë planifikuar për fondet IPARD 2 në krahasim me IPARD 1, theksoi

Biljana Kostovska, përfaqësuese e Ministrisë së Bujqësisë.  Sipas saj, Komisioni Evropian me IPARD 2 ka paraparë  60 milionë euro për periudhën 2014-2020, ku deri tani janë shfrytëzuar vetëm 15 për qind nga ky fond.

“Paratë nga IPARD 1, që ishin projektuar 85 milionë euro për periudhën 2007 – 2013, janë ndarë vit pas viti, ndërsa tani me IPARD 2 ato miratohen menjëherë. Nëse shihet se mirë i kemi shfrytëzuar, atëherë ekziston mundësia që të kemi mjete plotësuese”, tha Biljana Kostovska, Koordinatore e Sektorit IPARD në MB.

Ministria e Bujqësisë theksoi se arsyeja kryesore e shkurtimit të mjeteve është se nuk janë shfrytëzuar paratë, pasi që bujqit kanë probleme me sigurimin e dokumentacionit për pronësinë e tokave, për mungesë të sistemit të ujitjes si dhe për mosplotësimin e disa parakushteve bazë për të përfituar para nga IPARD fondet.

Deputetja e LSDM-së, Lidija Dimova thotë se Maqedonia ka humbur 24 milionë euro të pashfrytëzuara për zhvillim rural, për shkak të keqmenaxhimit dhe papërgjegjësisë.

“Falë pushtetit të papërgjegjshëm dhe rrënues të Nikolla Gruevskit. Republika e Maqedonisë i ktheu 24 milionë euro të reja, të ndara si mjete të pakthyeshme nga komponenta e tretë e fondeve IPA 1, të dedikuara për zhvillim rajonal”, u shpreh Lidija Dimova, LSDM.

 

Nga Ministria e Bujqësisë informojnë se në kuadër të projektit “Njohja me masat e reja IPARD” nga vjeshta do të publikohen thirrjet publike nga Programi IPARD 2, ndërsa u bëhet thirrje bujqve dhe prodhuesve bujqësor që të aplikojnë dhe të shfrytëzojnë këto fonde.

Përgatiti: Adnan Qaili

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU