EDHE VALLANDOVASIT KËRKOJNË REFERENDUM, SHENJË PËR NGRITJEN E VETËDIJES DEMOKRATIKE NË MAQEDONI?

885
0
SHPËRNDAJE

Referendumi i suksesshëm në Gjevgjeli i inkurajoi edhe banorët e Vallandovës. Tani edhe ato kërkojnë të drejtën e njëjtë demokratike – të shprehen pro ose kundër hapjes së minierës së bakrit, arit dhe argjendit në zonën e Kazandollit, vetëm rreth 20 kilometra larg qytetit. Për këtë qëllim, tashmë është formuar iniciativë e quajtur “Shpëtimi i Vallandovës” si dhe është bërë kërkesë deri te kryetari i komunës dhe kryesuesi i Këshillit Komunal për shpallje të referendumit.

“Duhet të dëgjohet zëri i popullit dhe qeveria qendrore të ndaloj ndërtimin e minierës e cila gjatë procesit të prodhimit të bakrit do të përdor acid sulfurik. Kemi frikë që miniera do të ndikojë negativisht në shëndetin e njerëzve si dhe në prodhimet bujqësore”, tha Robert Markov, një nga organizatorët.

Qytetarët kanë hedhur dritë në errësirën politike në vend. Kështu e komentoi profesoresha universitare, Gordana Sillanovska, shprehjen e vullnetit të qytetarëve të Gjevgjelisë, të cilët të dielën me anë të referendumit kundërshtuan hapjen e minierës në malin Kozhuf. Sipas saj, kjo duhet të jetë një mësim por edhe të bëhet trysni për përdorimin e referendumit si instrument para se të bëhen çfarëdo hulumtime të tilla. Por Sillanovska thotë që në Vallandovë situata është ndryshe.

“Atje është në një fazë tjetër edhe pse ka debate se ka pasur konsultime, me rreth 100 persona. Kështu dëgjuam sot nga informatat tuaja, por mendoj se kjo gjë nuk është e mjaftueshme. Kuptohet që askush nuk mundet që qytetarëve të Vallandovës t’ua rrezikojë dhe t’ua suspendojë të drejtën e një jete të shëndetshme dhe ata duhet ta përsërisin shembullin e Gjevgjelisë, ndërsa ne të gjithë duhet të kemi kuptim dhe seriozisht të mendojmë për prioritetet e këtij vendi”, tha Gordana Sillanovska, Profesoreshë universitare.

Nga ministria e mjedisit jetësor thonë se për zhvillimin ekologjik të Maqedonisë nevojitet edhe rritje industriale. Sekretarja shtetërore, Sonja Llipitkova thotë që qytetarët nga jugu i vendit janë manipuluar me deklarata paushalle. Ajo thotë që Maqedonia nuk mund të ngec në vend, e varur nga importi i energjensave, pa miniera dhe industri të rëndë.

Referendumi në Gjevgjeli ndodhi në kohë kur një kompani kanadeze ende po bën hulumtime nëse hapja e minierës në Kozhuf do të ishte investim i vlershëm. Në rastin e Vallandovës, kompania me kapital anglo-ukrainas tashmë ka fituar koncesion nga qeveria e Maqedonisë për eksploatimin e burimeve minerale në zonën e Kazandollës.

Përgatiti: Ile Petrevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU