DISA POEZI TË DRITËRO AGOLLIT

1061
0
SHPËRNDAJE

“Mos vdis në dhomën e heshtur i shtrire. Është turp kaq shpejt të rrish e të vdesësh”

Sot po i jepet lamtumira e fundit shkrimtarit Dritëro Agolli i cili vdiq me 3 shkurt. Agolli njihet edhe si novatori i poezisë shqipe. Është fitues i disa çmimeve kurse disa prej veprave të tij janë përkthyer në Përendim dhe Lindje.

Thonë se shkrimtarët nuk vdesin kurrë, pasi që jetojnë përmes veprave të tyre. E ngjashëm edhe Agolli do të jetoj përmes çdo vargu të poezisë së tij, ashtu siç thotë vet “…Atje i fshehur do të jem unë,
Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë”, në poezinë “Kur të jesh mërzitur shumë”

Andaj në vigjilje të humbjes së tij fizike më poshtë sjellim disa nga poezitë e Dritëro Agollit.

Kur të jesh mërzitur shumë

Këtu s’do të jem, do jem larguar;
Nën tokë i tretur si të tjerët,
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamarierët.

Dhe nëpër udhët ku kam ecur,
S’do ndihet kolla ime e thatë,
Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur
Një qiparis si murg i ngratë.

Ti do trishtohesh atëherë,
Se s’do më kesh në dhomë të gjallë,
Dhe, kur në xham të fryje erë,
Do qash me erën dalëngadalë.

Po kur të jesh mërzitur shumë.
Në raft të librave kërkomë,
Atje i fshehur do të jem unë,
Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë

Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe une do zbres, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje.

Ëndërr e prerë

Mos vdis, se pas shirave arën e mbushi bari,
Ka rënë në ullishte mizë e ullirit.
Hardhia duhet spërkatur shpejt me gurkali
Dhe ende s’ka dalë nga plisi kërcelli i misrit
Ne ëndërronim të bënim një anije,
Kurkush s’e mendonte me c’dru do ta ngrinim,
Kishim ndërmend ta ndërtonim me degë hardhie
Dhe vela ti vinim.
Bodrumet e saj t’i mbushnim me poçe me verë
Dhe te lundronim në ishujt e Havajës;
Ta pinim verën me vajzat e ishujve në Belvedere,
Zezaku të bënte fresk me fletën e palmës.
2.
Mos vdis se kalit i ra në vrapim një patkua
Dhe nisi ta ngrejë nga dhimbja këmben e parë;
Kërkojmë patkonj e s’na jep njeri hua,
S’e gjejmë as nallbanin e marre.
Ne ëndërronim te shkonim ne hipodrome,
ne vende te lumtura ku munden me kuaj,
Tani dhe kali çalon e s’na ha as barin e njome;
me sy si gota na sheh si te huaj…
3.
Mos vdis, se dielli në oborr e ka shtruar sofrën e madhe
Dhe presim të vijnë vajzat të gjitha,
Te gjitha ato qe ti u thoshje “sorkadheve”,
Kur grisnin fustanet në driza.
4.
Mos vdis në dhomën e heshtur i shtrirë
Është turp kaq shpejt të rrish e të vdesësh!
Ne ënderronim një vdekje më të mire:
Duke vdekur, fytyrat tona ti shihnim ne piken e vesës.
Mjegulli i Dashurisë

Kur ikja larg ,drejt teje vija
Kur vija afër ,ikja larg
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia bëhej çark.

As e kuptoja si të desha
Një mjegull pus ,një çmenduri
Si një poet që shkruan vjersha
Dhe ndez një shkrepse , i bën hi

Dhe ndoshta kjo ish dashuria
E çakërdisur kuturu…
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia gjithashtu.

Heshtja
Cigaria u dogj gjer në fund
Mbi tryezë gjumi më mori
Në xham era perdet i tund
Dhe hesht koridori.

Me kokë në tryeze të flesh
Të shohesh ëndrra të blerta
Sa ndot!…Të zgjohesh e prapë të gjesh
Në qoshe të vjellat e lëna nga jeta.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU