DEPUTETËT TË PËRKUSHTUAR PAS TELEFONAVE, KUVENDI EDHE PAS 15 DITËVE DEBAT, ENDE I BLLOKUAR

407
0
SHPËRNDAJE

Në sallën gjysmë të boshatisur dhe me retorikë të ngjashme si dhe ditëve të kaluara, deputetët edhe sot e vazhduan seancën e radhës konstitutive. Fjalën kryesore sot e kishte deputetja e VMRO-DPMNE-së, Liljana Zaturoska e cila kërkonte përgjigje për marrëveshjen e arritur në lidhje me Platformën e Tiranës. Por replika i kthenin bashkë partiakët e saj. Vetëm Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa u tha se duhet të fokusohen në zhbllokimin e institucioneve e jo të akuzojnë se deklarata e përbashkët e partive shqiptare është një pengesë. Zaturovska u përgjigj se “topi” tani gjendet tek lideri i social demokratëve.

“Liderët e partive politike shqiptare edhe më herët janë takuar me liderët e shtetit të Shqipërisë, do të takohen edhe tani, do të takohen edhe në të ardhmen dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Megjithatë ajo që është e rëndësishme për këtë Qeveri dhe për institucionet shtetërore është se përfaqësuesit e partive politike shqiptare dhe ne si deputetë veprojmë edhe politikisht edhe në mënyrë institucionale brenda kësaj Qeverie”, tha Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.

“Kësi lloj platforma pas zgjedhore, anti- maqedonase të cilat janë për prishjen e unitaritetit të shtetit nuk janë të dobishme. Tani topi gjendet në duart e Zoran Zaevit, e ai le të mendojë se a do ti pranojë ose do ti hedhë poshtë”, tha Liljana Zaturoska, VMRO-DPMNE.

Edhe nga Aleanca për Shqiptarët në mënyre procedurale u porositën deputetëve të VMRO-DPMNE-së se Deklarata kontribuon në stabilizimin e vendit. Deputetët e LSDM-së edhe sot herë pas here paraqiteshin vetëm me vërejtje procedurale drejtuar kryetarit të seancës Trajko Veljanovskit duke i thënë që ta respektojë Rregulloren e Kuvendit.

“Po mundohem të kuptoj se cilat janë këto interesa strategjike të maqedonasve të cilat rrezikohen nga kjo Deklaratë duke u nisur nga interesi më i madh i shtetit, edhe pse shteti është interes strategjik i të gjithë banorëve e jo vetëm i Maqedonasve. Kjo deklaratë është një kontribut për stabilizim të tanishëm vendit dhe për stabilizim të mëtutjeshëm të shtetit. Nuk ka asnjë argument bindës me të cilin rrezikohet gjuha maqedonase me ketë Deklaratë”, u shpreh Surija Rashidi, Aleanca për Shqiptarët.

“Në këtë situatë bëhet mjaft e qartë për publikun se po flitet për gjithçka ndërsa nuk po flitet për atë që është e rëndësishme për momentin, e ajo është transferimi i qetë i pushtetit. Po e pengoni procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe kjo tregon se VMRO-DPMNE përfundimisht  e ka humbur konceptin për mënyrën e sundimit të demokracisë në një shtet serioz”, tha Betiane Kitev, LSDM.

Në 15 vazhdimet e seancës konstitutive të Kuvendit u hapën shumë tema por assesi nuk po diskutohet në lidhje me zgjedhjen e Komisionit për zgjedhje dhe emërime dhe zgjedhjen e spikerit të ri. Socialdemokratët që nga java e kaluar njoftuan se ata kanë një strategji brenda suazave të Kushtetutës për zhbllokimin e Kuvendit sipas së cilës do të zgjedhin kryetarin e ri, por tani për tani nuk po e zbulojnë e as nuk po e zbatojnë.

 

Përgatiti: Mihajlo Vidimliski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU