DEBATI NË “CLICK PLUS” – TURQIA, BALLKANI PERËNDIMOR DHE BE!

75
0
SHPËRNDAJE

Turqia është faktor i rëndësishëm që ndikon në dobësimin e monopolit të Bashkimit Evropian, me ndikimin e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, thotë profesori universitar Ferid Muhiq. Sipas tij, Ballkani ka histori të gjatë trashëgimie kulturore, etnike dhe fetare turke, ndërsa pranimi i Rumanisë, Bullgarisë dhe i Hungarisë në BE praktikisht është bërë me qëllim uljen e ndikimit të Turqisë në këtë rajon.

“Absolutisht nuk besoj se do t’i pranojnë në Bashkimin Evropian. Në NATO po, por Maqedonisë, Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Serbisë, me shumë gjasa, në 25 vitet e ardhshme nuk do t’u vijë radha. Do të ishte mirë sikur t’i pranonin, por Bashkimi Evropian fare nuk është parimor. Unioni udhëhiqet nga motive ekonomike, por edhe nga motive ideologjike”, u shpreh Profesori Universitar, Ferid Muhiq.

Nuk mund të tërhiqet paralele ndërmjet Maqedonisë dhe Turqisë kur është fjala për arsyet përse këto dy vende nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian. Sipas kryetarit të Partisë për Lëvizje Demokratike të Turqve në Maqedoni, Adnan Qahil, Maqedonia shënon regres në fushën e demokracisë.

“Duhet të pranojmë se në Maqedoni, demokracia po shënon regres, gjë që nuk mund të thuhet për Turqinë. Mospranimi ynë në Bashkimin Evropian ndodh për arsye të caktuara, ndërsa mospranimi i Turqisë ndodh plotësisht për arsye tjera”, tha Adnan Qahil, Kryetar i PLT.

Sipas gazetarit dhe analistit Ismet Koçan i cili është njohës i mirë i proceseve në Turqi dhe në Lindje të Mesme, Bashkimi Evropian përfundimisht duhet t’i tregojë arsyet se përse nuk e pranon Turqinë brenda saj.

“Përfundimisht duhet të pranohet se a paraqet Bashkimi Evropian një klub të krishterë. Kjo është ajo që u dhemb turqve. Përse ata nuk mund të bëhen anëtarë të BE-së? Arsyetimet se gjoja mungojnë kapacitetet demokratike ose ligji për luftimin e terrorizmit… Them se, edhe sikur të gjitha këto kushte Turqia t’i plotësojë, ata përsëri do të shtronin kushte të tjera”, tha Ismet Koçan, Gazetar dhe Analist.

Të ftuarit në Klik Plus u pajtuan se ekonomia është një nga forcat lëvizëse dhe se Turqia po bëhet një lojtar i rëndësishëm global, ndërsa me këtë edhe ndikimi  i saj në Ballkanin Perëndimor është në rritje të vazhdueshme.

 

Përgatiti: Edin Rastoder

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU