AMBASADORI SLLOVEN NXJERR ROMAN PËR DIPLOMACINË ‘’YLBERI PËRTEJ SHPIRTIT’’ I MILAN JAZBEC, EDHE NË SHQIP

1161
0
SHPËRNDAJE

Ambasadori i Sllovenisë në Maqedoni, Milan Jazbec promovoi librin e tij ‘’Ylberi përtej shpirtit’’, një rrëfim për diplomacinë që paraqitet përmes këndvështrimit të personazhit kryesor, duke analizuar punën e një diplomati nga ana psikologjike dhe ajo sociale.

Libri i botuar fillimisht në Kosovë në vitin 2008, ribotohet në Maqedoni në gjuhën shqipe nga përkthyesja Valbona Bashtrakaj.

“Në këtë libër flitet për një diplomat të  suksesshëm, me një karrierë të pasur në shumë vende të botës, që më pas përfundon si ambasador I OKB-së, që është kulmi i karrierës për një diplomat dhe në fund fiton një çmim Nobel për letërsinë”, u shpreh Milan Jazbec, Ambasador i Sllovenisë. 
Një tjetër temë që trajtohet në këtë libër është edhe jeta private e një ambasadori.

Aty përshkruhen ambiciet e tij, problemet dhe frustrimet që dalin gjatë punës në diplomaci.

Libri nxjerr në pah  frikën e një njeriu që pavarësisht suksesit të tij ka dyshime në punën e tij.

“Në anën tjetër ky person i suksesshëm, nëse nuk është i lumtur, parashtron pyetjen vetes, nëse ja vlejnë të gjithë këto suksese të karrierës”, tha Jazbec.

Në promovim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni Fatos Reka i cili vlerësoi karrierën diplomatike të kolegut të tij dhe tha se përkthimi në shqip i këtij romani tregon edhe njëherë marrëdhëniet e mira mes popujve të Ballkanit.

“Fakti që kjo vepër është e përkthyer dhe në shqip tregon më së miri marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë ndërmjet popujve të Ballkanit”, tha Fatos Reka, Ambasador i Shqipërisë.

Ambasadori Milan Jazbec është diplomati i gjashtë me radhës që Sllovenia caktoi në Maqedoni, prej pavarësimit të saj.

Jazbec më parë ka shërbyer si diplomat në Turqi, Norvegji dhe vendet skandinave.

Përgaditi: Ardi Zhuta

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU