“Hapja e xhamive nuk ishte çështje inati”, Arsllani: Për shkak orës policore vetëm dy vakte falen në xhami

TË FUNDIT

Vendimi për hapjen e xhamive nuk ishte çështje inati por, ishte vendim i Bashkësisë Fetare Islame pas analizave dhe shumë diskutimeve, – kështu tha mbrëmë në emisionin Click Plus myftiu i Shkupit Qenan Ismaili.

Ai tha se mbyllja e xhamive nuk ka qenë një vendim i lehtë.

“Edhe pse disa e ndërlidhen drejtpërdrejt me punë inati me Kishën mirëpo besoni që neve si besimtarë nuk na ka hije ne të merremi me punë inati, se vetë Zoti neve na urdhëron që të logjikojmë të mendojmë, kështu Zoti na thërret në Kuran dhe ne me shumë analiza me shumë diskutime erdhëm deri tek vendimi që është koha e duhur që të bëhet hapi i parë”, tha Qenan Ismail, Myfti i Shkupit.

Zëvendësministri i shëndetësisë Armend Arsllani tha që në xhami tani për tani do të falen vetëm dy vakte për arsye se tre vaktet e tjera do të jenë në orë policore.

“Në bazë se institucionet kanë marr një vendim i cili është i pa-kthyeshëm gjegjësisht kanë marr edhe një protokoll të cilin do ta respektojë, besoj se do të kemi një ballafaqim shumë të mirë të situatës.  Por mos harrojmë edhe diçka tjetër për arsye se tani do të duhet të kryhen vetëm dy vakte të faljes në xhami për arsye se tre të tjerët janë në orën policore”, tha Armend Arsllani, Zëvendësministër i Shëndetësisë.

Bashkësia Fetare Islame vendosi disa rregulla se si duhet të përgatiten besimtarët që shkojnë në xhami. Mbajtja e distancës, dezinfektimi i duarve, dezinfektimi i xhamive dhe mos grumbullimi i besimtarëve para dyerve si dhe ato besimtarë që kanë samtoma të gripit të mos frekuentojnë xhamitë.