Me punë e përkushtim vijnë sukseset

338
0
SHPËRNDAJE

Ndonëse një klub i ri, të themi sa ka nisur të marrë vehten, i themeluar më 18 shtator 2012, klubi i volejbollit “Drenasi” në konkurrencën e femrave arriti suksese për lakmi.

Për kaq kohë të shkurtë rrallë ka ndodhur që një klub për vetëm dy kampionate të ngjitet në elitën e volejbollit të Kosovës. Aso kohe, kryetari i klubit Abedin Mehani, profesorët e kulturës fizike Elmi Zymeri dhe Syl Berisha, duke parë talentin e madh të shumë vajzave filloriste për lojën e volejbollit me mbështetjen e shumë donatorëve e veçmas komunës së Drenasit, vendosën që i gjithë ky talent dhe potencial të kurorëzohet me themelimin e një klubi të vashave, që shumë shpejt u shndërrua në një klub profesional.

Ndonëse me vetëm dy vitet përvojë të fituar në Ligën e parë, vashat e KV “Drenasi”, arritën rezultate të mira në Superligë, duke u renditur në vendin e pestë në fund të kampionatit, pas 6 fitoreve e tetë humbjeve dhe duke tubuar 14 pikë, duke lënë prapa skuadrën me nam të kryeqytetit.

Natyrisht nuk duhet harruar se palestra sportive e sapo ndërtuar në Drenaska qenë një ndihmesë e madhe. Dhe krejt për këto të arritura të klubit nga Drenasi flasin disa nga personat meritor.

“Kemi një kryesi të mirë, ku secili i ka detyrat e përgjegjësitë e caktuara. Kemi arritur rezultate të mira dhe për të gjitha këto duhet falënderuar vashat, shtabin teknik, të cilët punuan me zell dhe përkushtim. Sigurisht se këto rezultate nuk do t’i arrinim po të mos kishim edhe mbështetjen e pa kursyer të komunës së Drenasit dhe kreut të saj Nexhat Demakut, por edhe të shumë donatorëve tjerë që nuk kursyen asgjë për të na dalë në mbështetje sa herë që kemi pasur nevojë”, u shpreh kryetari i klubit Abedin Mehani.

Për punën që po bëhet në klub kryetrajneri Elmi Zymeri ndër të tjera theksoi: “Jemi klubi relativisht i ri dhe me një përvojë të shkurtër, por megjithatë pas dy viteve arritëm të bëhemi pjesë e elitës së volejbollit të Kosovës madje edhe të ruajmë statusin në këtë rang të garave. Këtë e arritëm me një punë të palodhshme, me përkushtim e profesionalizëm duke marrë për bazë se kemi një moshë shumë të re të volejbollisteve, por shumë ambicioze. Mendoj se me një disiplinë të madhe, zell të madhe dhe synime të qarta arritëm ku jemi sot. Unë besoj se klubi “Drenasi” do të jetë një promotor i elitës së volejbollit të Kosovës”.

Ndërkaq, trajneri i klubit Syl Berisha mes tjerash vuri në dukje punën profesionale që po bëhet në këtë klub.

“Nuk ishte aspak e lehtë që në Drenas të gjendeshin vasha që do të luanin volejboll, por ne bashkërisht arritëm të bëjmë përzgjedhjen më të mirë të mundshme dhe ju rrëkem punës. Volejbolli donë shumë përqëndrim, saktësi dhe qëllim sepse loja zhvillohet në pak metra katëror dhe me pengesa, ndaj mundësia e manevrimit është shumë e lemituar. Pra kërkohet angazhim maksimal. Por ja që me punë arritëm rezultate të mira dhe shpresoj së në kampionatin e ri do të luftojmë për vet kreun e tabelës dhe do të jemi faktorë me rëndësi në zhvillimin e volejbollit të vashave në Kosovë”.

Nuk na mbetet gjë tjetër, veçse ta urojmë këtë klub nga Drenasi që në rrugëtimin e tij të ketë suksese në promovimin e volejbollit drenicarë duke qenë anëtar i denjë i elitës së volejbollit të Kosovës.

Emërorja e volejbollisteve:

Egzona Thaçi, kapitene, Rukije Muja, Liridona Kurumeli, Halime Kurumeli, Hyrie Goxhuli, Hadije Rama, Sara Greiçevci, Dafina Morina, Lauresa Hoxha, Gresa Krelani./kp/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU