Përfaqësimi në administratën publike, të merret parasyshë aspekti kualitativ dhe jo kuantitativ

1547
0
SHPËRNDAJE

Qasja e drejtë në vende të punës siguron punësime në sektorin publik dhe mundësi që të gjitha bashkësisë të marrin pjesë në vendi –marrjen e të gjitha niveleve. Kjo do të thotë edhe kushte më të mira për qytetarët, sipas një hulumtimi të bërë nga Instituti për Politika Evropianë në kuadër të projektit “Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat dhe integrimi në vendin e punës”. Në këtë aspekt, kushte më të mira për punë, dhe puna më e mirë administrative, janë disa nga përfitimet kryesore të zbatimit të përfaqësimit të barabartë.

Ardita Abazi Imeri, Koordinatore e këtij projekti bëri të ditur se një e treta e të anketuarve, siç thuhet në gjetjet kryesore të këtij hulumtimi, punonjësit shqiptarë në administratë vlerësojnë se ka diskriminim në baza etnike, përderisa punonjësit maqedonas vlerësojnë të kundërtën.

“38% e të anketuarave vlerësojnë se nuk ka diskriminim në baza etnike, megjithatë 18 % vlerësojnë se ekziston diskriminimi në baza etnike. Një numër i konsiderueshëm i bashkësisë shqiptare më së shpeshti përjetojnë ofendime në baza etnike, përderisa maqedonasit vlerësojnë se nuk ka ofendime në këto baza”, u shpreh Ardita Abazi- Imeri, koordinatore e projektit.

Ndërsa, drejtoresha e Institutit për Politika Evropianë, Malinka Risteva- Jordanova, theksoi se hulumtimi i bërë tregon se është filluar dal-nga-dalë të merret parasysh aspekti kualitativ i punës, në vend të atij kuantitativ.

“Kemi edhe disa rreziqe dhe rrethana të volitshme në këtë aspekt, por definitivisht ka mundësi të punohet në këtë koncept më tutje dhe të tejkalohen këto barriera të pakalueshme në fillim, por është koha që të ndryshojë qasja edhe drejt vetë zbatimit kuantitativ të parimit, por edhe të vendoset gjithnjë më shumë aspekti kualitativ apo cilësor”, tha Malinka Risteva – Jordanova, Drejtoreshë e IPE.

Analisti Albert Musliu thotë se përfaqësimi në administratë është shndërruar në një sistem korrupsioni dhe joshje e të punësuarve nga ana e partive në pushtet.

“Pjesëmarrja e komunitetit jo-shumicë, duhet të vlerësohet në bazë të disa vlerave në atë sistem, ai është sistemi meritor, d.m.th. kualiteti në të cilën insistohet,  dhe sistemi i përgjegjësisë për punën  që e ke bërë. Në një sistem, i cili është i partizuar, ju nuk keni përgjegjësi ndaj ligjit, ndaj shtetit, por keni përgjegjësi ndaj partisë e cila e ka marrë sistemin e punësimit si sistem të ventilit social dhe jo si sistem të integrimit të një shoqërie”, shtoi analisti, Albert Musliu.

Në kuadër të këtij projekti u propozua modeli për menaxhim e diversitetit. Përveç shumë pikave tjera në këtë model ka një qasje me shumë metoda kundrejt menaxhimit të diversitetit. Projekti është mbështetur financiarisht nga USAID.

Përgatiti: Bajram Memeti

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU