Prokurorja speciale kërkon 1 milion euro buxhet, a është real apo jo?

320
0
SHPËRNDAJE

Prokurorja Speciale, Katica Janeva  në raportin e saj financiar ka kërkuar 1 milion euro për çdo tre muaj, rreth funksionimit të institucionit të saj. Kjo shumë parash është planifikuar për stafin profesional dhe teknik që do të jetë rreth 100 veta, por edhe për harxhime të tjera për hetime brenda dhe jashtë vendit, shërbimet teknike dhe nevoja të tjera.

Buxheti i Prokurores Speciale po pret dritën jeshile nga Këshilli i Prokurorëve Publik. Kryetari i këtij këshilli, Petar Anovski deklaroi për TV 21 se për nesër është caktuar seanca ku në rend dite është edhe buxheti i propozuar nga Prokurorja Speciale. Anovski tha se është herët për të folur për këtë buxhet se a është i madh apo i vogël.

Ish-drejtori i Drejtorisë kundër larjes të parave, Vane Cvetanov theksoi se buxheti i propozuar nga prokurorja Janeva është normal dhe i mjaftueshëm për hetimet e planifikuara.”Për buxhetin e prokurorit special, bazuar në përvojën time personale dhe atë që kam parë në shumë vende të botës, unë mund të them se ai buxhet është tërësisht normal dhe  i mjaftueshëm për të përfunduar të gjitha këto gjëra të mëdha. Nëse marrim parasysh se prokuroria ka për detyrë të hap hetime për një numër të madh të çështjeve, atëherë do të veprohet jo vetëm sipas atyre kallëzimeve penale të LSDM-së, por do të veprohet edhe në bazë të materialeve tjera që janë brenda bombave”, vlerëson Cvetanov.

Ai thotë se buxhetin që e ka kërkuar Janeva është pothuajse i ngjashëm me atë buxhet që e kanë edhe Prokurorët special për Krime të luftës në Serbi dhe Zyra për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Kroaci. “Buxheti përafërsisht është i ngjashëm me atë buxhet që e kanë edhe Prokurorët special për Krime të luftës në Serbi. Mund ta shihni edhe buxhetin e Zyrës për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Kroaci. Nëse marrim parasysh vëllimin e materialeve që duhet të punohen, atëherë buxheti është normal dhe çdo kritikë ndaj këtij buxheti do të kuptohet sikur obstruksion ndaj punës se prokurores speciale. Dhe ndoshta është dëshirë e disa grupeve dhe mediave që të mos hapen krimet e disa personave të dyshuar”, thotë Cvetanov.

Prokurorja Speciale ka planifikuar punësimin e një stafi të gjërë si 30 pjesëtarë të sigurimit, 28 hetues, këshilltarë, ekspertë të informatikës, dy shoferë, sekretare dhe staf tjetër teknik. Ajo ka theksuar se një pjesë e buxhetit do të harxhohet edhe për hetime speciale jashtë vendit.

Zyra e Bashkimit Evropian dhe Ambasada Amerikane në Shkup sot kanë kërkuar që të miratohet plani i prokurores speciale dhe përkrahja e saj në procesin e hetimeve.

Artan Nuhiu

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU