Festat shtetërore përçajnë skenën politike në vend

Festat shtetërore përçajnë skenën politike në vend

850
0
SHPËRNDAJE

Në vend se njëri pranë tjetrit, njëri pa tjetrin, kështu duket elita politike në Maqedoni gjatë kremtimit të festave shtetërore.

Për disa prej pjesëmarrësve në procesin politik vite me radhë festat shtetërore shërbejnë për zënka mes partive. Në vend se të kenë karakter bashkues, siç thonë ata, festat po keqpërdoren për propagandë partiake.

Aktorët në krijimin e Maqedonisë së pavarur thonë: Në vend se të dërgojmë mesazh për bashkim dhe bashkëjetesë ndëretnike, mu gjatë ditëve të këtilla ne jemi të ndarë. “Për fat të keq imazhi i tillë është reflektim i vetëdijes së paparë dhe parciale të ndarjeve dhe kundërshtimeve, e cila akoma sundon tek ne. Siç shihni, tani ka më shumë kremtime partiake, sesa kremtime ku të gjithë janë bashkë. Te ne akoma valojnë flamuj të ndryshëm. Kemi një flamur shtetëror, mirëpo valojnë edhe flamuj të tjerë, të cilët nuk janë paraparë dhe të rregulluar me ligj. Të themi, valon edhe flamuri i verginës si paralel me flamurin tonë shtetëror, që është e pakuptimtë”, thekson Stojan Andov, kryetar i parë i Kuvendit shumëpartiak në Maqedoni.

Sipas mendimit të Andovit, ne si duket jemi vend i vetëm në Ballkan dhe Evropë, i cili nuk ka ndërtuar qëndrim serioz ndaj kremtimit të së kaluarës tonë. “Kjo është një papjekuri, prioritetet tjera janë më të rëndësishme. Ja të themi, hapje e garazheve me kate, qarkoreve, pastaj disa manifestimeve të karakterit dytësor, që shfrytëzohen për promovim partiak. Po shihet vetë se partitë politike dëshirojnë me çdo kusht të jenë në pushtet, pa marrë parasysh pasojat për vendin. Për atë them se kultura e politikanëve tanë është shumë e ulët. Nuk kanë ndjenjën për shtetëbërje të vërtetë”, vlerëson ai.

Politikanët akoma nuk bëjnë dallim mes festës shtetërore, partiake apo etnike, thotë deputeti i përbërjes së parë të Parlamentit shumëpartiak, Ismet Ramadani. Ai thekson se politikanëve tek ne u mungon ndjenja e lojalitetit dhe përkatësisë ndaj shtetit. “Ekziston një dallim lidhur me kremtimin e festave shtetërore. Bile kisha thënë, varësisht nga ajo se cila parti është në pushtet, vallë është LSDM apo VMRO-DPMNE. Kur LSDM në pushtet, atëherë marrin pjesë më tepër edhe nga partitë dhe bashkësitë e tjera etnike. Kur VMRO-DPMNE drejton shtetin, më tepër u jepet rëndësi festave të lidhura me ndonjë të kaluar historike të partisë”, potencoi ai.

Ramadani vëren edhe praninë e rrallë të politikanëve të bllokut shqiptar në festat e caktuara shtetërore. “Këtë disbalancë etnik e kemi gjatë festave të caktuara, mirëpo faji për këtë është tek partitë në pushtet. Shumë rrallë, ose asnjëherë, njerëzit e parë të shtetit, ose me frikë ose me rezervë, ose fare nuk e përmendin kontributin e shqiptarëve për Republikën e Krushevës. Shumë pak përmendet edhe pjesëmarrja e shqiptarëve në ASNOM, ku gjithashtu kanë qenë prezent”, thotë ish-deputeti Ramadani.

Ministri i parë i punëve të jashtme në Maqedoninë e pavarur, Denko Malevski shpjegon se politikanëve në Maqedoni u mungon urtësia dhe ndjenja për unitet kombëtar, dhe ndërtim të urave për të tejkaluar barrierat etnike. “Kur vjen festa shtetërore, për shembull dita e pavarësisë, konsiderohet si festë e maqedonasve, e pastaj shqiptarët revanshohen, nuk vijnë në kremtimet, sepse duheshka udhëheqësia, siç thanë gazetat, të shikojnë Ronaldon dhe Shqipërinë si luan kundër Portugalisë. Për ata kjo është më me rëndësi, sesa të dërgojnë një sinjal se ne jemi bashkërisht të lidhur për fatin e këtij vendi”, thekson Denko Maleski, ministër i parë i jashtëm i Maqedonisë së pavarur.

Me vendosje të këtillë të relacioneve, siç thotë Malevski ne ndaj botës dërgojmë imazh të një shteti, i cili është i dobët dhe i lehtë për rrënim nga të gjitha anët. “Partitë politike në Maqedoni mes festave nuk i kushtojnë aspak kohë qartësimit të dilemave nga e kaluara, që të hapen poenta të reja për ardhmërinë. Ende një pjesë e madhe e partive politike nuk e pranojnë Marrëveshjen e Ohrit, së këtejmi edhe nuk ka kremtim të përbashkët të këtij momenti të rëndësishëm të historisë politike”, vlerëson ai.

Diplomati Risto Nikovski konsideron se festat shtetërore shpeshherë shfrytëzohen për interesa politike, të cilët i tejkalojnë ato shtetërore. “Në të kaluarën kur ndodhnin festat, edhe gjatë Ilindenit kemi qenë të gjithë të bashkuar. Në të gjitha këto momente më parë kemi qenë unikë, tani nuk jemi. Kjo ndodhë për shkak të disa aspiratave, kur vijnë në shprehje interesat politike mbi ato kombëtare, për dofarë ndryshimesh të kufijve, këto gjëra i prishin marrëdhëniet dhe krijojnë klimë të mosbesimit“, shprehet ambasadori Nikovski.

Është shumë me rëndësi, këshillon Nikovski, të ruajmë unitetin dhe interesat e përbashkëta dhe të jetojmë së bashku dhe të ndërtojmë shtetin, i cili, siç thotë, duhet të jetë një shtëpi për të gjithë ne.

Vesna Jaqimovska

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU