Analizë: Bisedimet në hije, në sipërfaqe sërish “bombat”

522
0
SHPËRNDAJE

Bisedat maratonike e ndërlikuan më tej krizën politike, konsiderojnë ekspertët. Arsyeja kryesore është se bisedimet e Përzhinos zhvilloheshin prapa dyerve të mbyllura. Opinioni publik është përjashtuar tërësisht dhe kështu u hap mundësia e manipulimit dhe krijimit të kartelit politik, konsideron politikologu Anastas Vangeli.
“Ajo çfarë po ndodh gjatë kësaj periudhe është formalizimi i një karteli politik, ku partitë politike janë të vetëdijshme se të gjithë kanë diçka për të fituar, diçka për të humbur. Nuk harrohen ata 4 liderë, të cilët negociuan, janë 4 milionerë, ku të gjithë kanë dyshime dhe spekulime për prapavijë të pistë për pasuritë e tyre. Ata thjesht më përpara do të kishin bërë aleancë mes tyre, sesa të vinin në kontakt me atë shumicë të heshtur që pret në hije, që kohë pas kohe del jashtë në rrugë, por ende nuk e ka thënë fjalën e fundit”, vlerëson Vangeli.

Gazetari Goran Tërpenoski shpreson se Talat Xhaferi do ta tërheqë projekt-ligjin, sepse në atë mënyrë shkelet Kushtetuta dhe hapet mundësia për censurë. Në anën tjetër, thotë se edhe LSDM-ja nuk kanë qenë tërësisht të qartë se për çka janë marrë vesh. Tërpenoski shton se në këtë mënyrë po turbullohet opinioni publik dhe po shpërqendrohet vëmendja nga tema aktuale rreth kodit zgjedhor. “Shilegovi nuk tha në mënyrë të prerë se janë kundër, por nëse me vëmendje lexohet deklarata e tij – thotë “nëse Kuvendi e voton”. Sipas meje, kjo fjali flet se e kanë ditur se ekziston një gjë e tillë. Dhe, normalisht se nuk do të përkrahin një gjë të tillë, për arsye se lideri i LSDM-së u kërcënua me rivazhdim të publikimit të bombave”, thotë Tërpenovski.

“Bombat” e ashtuquajtura dukshëm i vunë në heshtje bisedimet, konsideron politikologu Xhenis Sulimani. “Sipas meje, ata dëshirojnë t’i kamuflojnë të gjitha materialet e përgjuara, që bënë bum në skenën politike në Maqedoni dhe ishin faktori numër një për të ardhur deri te një zgjidhje e mundshme për dialog, nën shtypje të faktorit ndërkombëtar. Për këtë arsye mendoj se edhe më tej qeveria do të mundohet t’i provojë të gjitha mekanizmat e saj për ta parandaluar publikimin e bombave”, potencoi ai.

Grupet e deputetëve të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së parashtruan dje në Kuvend projekt-ligjin për ndalimin e posedimit, përpunimit, publikimit a pasjes në dispozicion të materialeve që dalin nga përgjimi i paligjshëm i komunikimit. Sipas projektligjit në fjalë, ndëshkimi minimal për medien do të ishte 4 vjet burgim nëse do të publikonte ndonjë material të tillë.

Gabriella Dimkoviq-Mishevska

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU