Bllokuan Autostradën Milladinovcë-Shtip! Thirren në bisedë informative në Autokomandë

TË FUNDIT

Dhjetra banorë të Konjares dy ditë me radhë kanë protestuar në shenjë revolte duke bllokuar Autostradën Milladinovcë-Shtip. Sipas banorëve, protesta ka ardhur si rezultat i asaj se kompania ka filluar sërish gërryerjet në tokën pjellore. Por në ditën e dytë të protestës të pa paralajmëruar në organet e rendit, banorët e Konjares thirren për bisedë informative në Stacionin Policor në Autokomandë.

 “Ne kemi ftesë për bisedë, është bisedë informative e cila është paralajmëruese se nuk duhet të protestojmë në autostradë. Jo, nuk do të ndalemi, ndoshta shteti nuk na lejon të protestojmë aty ku ishim sot dhe dje megjithatë organet shtetërore e dinë dhe askush nga to nuk na u drejtua dhe nuk japin mbështetje për zgjidhjen e problemit”, tha Senat Smiq – Kryetar i Bashkësisë Lokale – Konjare.

Por nga ana tjetër, sipas ligjit për tubime publike thuhet:

Ligji për tubime publike Neni 2-a

Tubim publik për shkak të prononcimit të qetë të mendimit ose protestë mund të mbahet në çdo vend që është adekuat për atë qëllim, përveç se:

-Në afërsi të institucioneve shëndetësore,  në mënyrë që nuk pengohet qasja e veturave të ambulancës dhe e cenon qetësinë e  pacientëve,

– Në afërsi të çerdheve dhe shkollave përderisa fëmijët janë aty dhe

– Në autostradë dhe rrugë magjistrale, aty ku cenohet trafiku rrugor

Banorët e Konjares për rastin në fjalë kanë protestuar edhe disa herë të tjera. Banorët thonë se nuk do të heqin dorë deri sa kompania t’i ndërpresë punimet pasi që sipas tyre po dëmtohet toka pjellore dhe po rrezikohen shtëpitë e tyre. Por nga ana tjetër nga ajo që dihet tani për tani sipas informacionit të fundit që është kumtuar nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor është se po përgatitet elaborat i ri nga një kompani gjeodezike.

Përgatiti: Armend Abazi