Komisioni për revidimin e teksteve, në proces! Carovska pa afat konkret se kur do të korrigjohen tekstet raciste

TË FUNDIT

Diskriminimet në bazë etnike në librat shkollorë kanë bërë bujë.

Ministrja e Arsimit Milla Carovska së fundmi ka zhvilluar një takim me zv/kryeministrin Artan Grubi dhe ish-ministrin e arsimit Arbër Ademi, por pas takimit ata vetëm me shkrim lajmëruan se u dakorduan që në përputhje me Ligjin për librat shkollorë për arsim fillor dhe të mesëm të shqyrtohen dhe korrigjohen të gjitha parregullsitë dhe padrejtësitë në të gjitha tekstet shkollore duke nisur menjëherë nga libri i Gjeografisë për vitin e dytë të shkollës së mesme.

Për këtë e pyetëm edhe ministren e Arsimit Milla Carovskën po ajo nuk dha detaje të takimit dhe nuk përmendi një afat konkret se kur do të ndodhë korrigjimi i teksteve diskriminuese në këto libra.

 “Tani formoj komisionin që të shohim se çfarë ka në librin e Gjeografisë së vitit të dytë dhe ata do të vendosin se çfarë do të ndodhë sepse ashtu është e paraparë në përputhje me ligjin dhe procedurat, që të mund pastaj të veprojmë me propozim  zgjidhje ligjore, kështu që do të vendosen filtra nëpërmjet komisioneve, nëpërmjet të cilëve do të konfirmohet , pas çka do të vendoset çfarë materiale do të hynë për mësim dhe çka jo”, deklaroi Milla Carovska – Ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Ministria tha se Komisioni që është duke u formuar do të bëjë revizion pastaj recesion në tekstin e Gjeografisë, por sa i takon përgjegjësisë që duhet të bartin përgjegjësit që kanë lëshuar në përdorim këto libra me përmbajtje diskriminuese ajo tha se nuk duhet të kthehemi pas por duhet të shikojmë përpara.

 “Unë nuk do të isha kthyer pas, por duhet të shohim çfarë do të ndodhë tash sepse komisioni i cili punon me te cilin kam takime , ata janë komision i pavarur i formuar nga përfaqësues të shkollimit të lartë, nga përfaqësuese të shkollave të mesme dhe nga biroja për zhvillimin e arsimit që të mund të përcaktojnë kur do të ketë vendim atëherë do të ulemi dhe do ta marrim vendimin që ata do ta propozojnë”, shtoi Carovska.

Këto komente ministrja i bëri gjatë takimit të saj në qytetin e Kërçovës me përfaqësues të arsimit dhe të odave ekonomike për hapjen e profileve të reja profesionale në shkollat e mesme të vendit që parashihet të ndodhë vitin e ardhshëm shkollë.