Qyteti i Shkupit caktoi mbledhjen për emrat e rinj të rrugëve

TË FUNDIT

Këshilli i Qytetit të Shkupit në mbledhjen e ardhshme të paralajmëruar për të martën javën e ardhshme do votojë për 22 pika mes të cilave është edhe propozim-lista për plotësimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve tjera infrastrukturore në zonën e qytetit të Shkupit.

“Bëhet fjalë për një listë prej 570 emrave të rinj dhe të vjetër të grave, burrave, vendeve, termave që mund të përdoren për emërimin e objekteve të infrastrukturës në territorin e qytetit të Shkupit. Plotësimi i bazës nga e cila mund të zgjidhet për emërimin e rrugëve, shesheve, urave, etj. është e rëndësishme, mbi të gjitha, për shkak të gjithëpërfshirjes së procesit, në të cilin u përfshinë edhe qytetarët përmes një sondazhi në vitin 2018 dhe për shkak të mbulimit të emrave që janë të rëndësishëm për Shkupin, ndërsa nuk ishin në atë listë ose ishin fshirë në procedura paraprake. Votimi nga Këshilli i Qytetit të Shkupit është një hap tjetër në procedurën e përgjithshme, ndërsa kjo listë më tej duhet të votohet edhe nga Qeveria”, thekson Qyteti i Shkupit në paralajmërimin për seancën.

Këshilli i Qytetit të Shkupit duhet të diskutojë edhe për miratimin e raportit për realizimin e buxhetit të Qytetit të Shkupit për vitin e kaluar.

Prej atje paralajmëruan se në këtë seancë do të votohet edhe për strategjinë për barazinë gjinore të Qytetit të Shkupit 2021 – 2015.

Sa i takon emrave të rrugëve, dje TV21 ju solli një artikull të gjerë me emrat shqip të propozuar. Megjithatë, mbetet të shihet se sa prej tyre do të qëndrojnë në rrugët e Shkupit./TV21