Bajrami: Valuta vendase mbetet e qëndrueshme, për këtë nuk ka dilemë

TË FUNDIT

Vlera e monedhës vendase do të mbetet edhe më tej e qëndrueshme dhe për këtë nuk duhet të ketë asnjë dilemë, ka thënë në intervistën për MIA-n, zëvendësguvernatori Fadil Bajrami.

“Niveli aktual i lartë i rezervave valutore, si dhe planet dhe parashikimet për lëvizjen e tyre në periudhën e ardhshme, janë një garanci e fortë për stabilitetin e denarit. Kur bëhet fjalë për vlerën e monedhës vendase, nuk duhet të ketë asnjë dyshim se ajo do të mbetet e qëndrueshme”, ka thënë Bajrami.

Lidhur me atë nëse do të ketë ndonjë efekt procesi i vaksinimit mbi ekonominë dhe mbi pritjet e BP-së me parashikimet e fundit, Bajrami ka thënë se vazhdimisht ndiqen situatat dhe nëse nevojitet do të kryhet rregullim adekuat monetar.

“Ne po monitorojmë vazhdimisht, me kujdes dhe tërësisht gjendjet dhe nëse është e nevojshme, jemi të gatshëm të bëjmë rregullimin e duhur të pozicionimit monetar. Ajo që natyrisht është e qartë dhe ajo që tregojnë trendët globale, është se politika monetare duhet të mbetet e lehtësuar për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike për sa kohë që zgjat pasiguria rreth fundit të pandemisë, por dhe pas kësaj. Në pajtim me trendët e tilla, ne do të vazhdojmë me një politikë të lehtësuar monetare, duke ruajtur një nivel të mjaftueshëm, të lartë të rezervave valutore dhe duke ruajtur një kurs të qëndrueshëm të këmbimit të denarit. Sigurisht, në çdo moment jemi të gatshëm të aplikojmë masa të tjera të përshtatshme, të cilat janë në kompetencën tonë dhe që do të jepnin rezultatet e duhura”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se efektet e masave të ndërmarra nga fillimi i pandemisë konfirmojnë se Banka qendrore në kuadër të kompetencave të veta kanë siguruar mbështetje adekuate për ekonominë dhe qytetarët që më lehtë të tejkalojnë sfidat që i imponoi pandemia.

“Kur e them këtë, kryesisht u referohem masave që kemi zbatuar si bankë qendrore gjatë vitit të kaluar, të tilla si ulja e normës bazë të interesit në nivelin më të ulët ndonjëherë dhe vendosjen e aktiveve likuide shtesë në sistemin bankar, dhe përmes tij në ekonomi, si dhe lehtësimin e rregullores bankare e cila mundësoi shtyrjen e përkohshme të detyrimeve të kredive të qytetarëve dhe kompanie që u prekën më shumë nga kriza. Masat e tilla të Bankës Popullore mundësuan vazhdimin e trendit të rritjes të mbështetjes së kredisë për kompanitë dhe amvisëritë nga vitet e mëparshme, por në të njëjtën kohë çuan në uljen e mëtejshme të normave të interesit të kredive bankare, të cilat pikërisht në këtë periudhë arritën nivelet historikisht më të ulëta”, ka thënë Bajrami.

Ai ka thënë se Banka qendrore i ka ndihmuar qytetarët dhe kompanitë, si dhe shoqërinë në tërësi, të qëndrojnë „në këmbë“ dhe të jenë mjaft të fortë për rritje dhe zhvillim të mëtejshëm pasit të zhduken sfidat e imponuara nga pandemia. Në fakt, edhe krahasimi me masat e marra nga bankat e tjera qendrore në rajon dhe më gjerë, e konfirmon këtë.

Sipas tij, sistemi bankar, i cili është pjesa më e rëndësishme e sistemit financiar, e vërtetoi rezistencën ndaj goditjeve.

“Kërkesat rregullatore dhe reformat e zbatuara në këtë fushë në vitet e kaluara gjithashtu kontribuuan për këtë. Prandaj, është mjaft realiste të pritet se pikërisht sistemi bankar, duke ruajtur një normë të qëndrueshme të rritjes së kredisë me rreth 6% në nivel vjetor, do të jetë ai që do të sigurojë mbështetjen kryesore të ekonomisë për kthimin e saj në rrugën e rritjes ekonomike, duke iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme, si deri tani, nevojave të qytetarëve dhe bizneseve. Gjithashtu, është mjaft realiste të pritet që paralelisht me rritjen e aktivitetit të huadhënies, të vazhdojnë të rriten kursimet e qytetarëve dhe kompanive në bankat vendore”, ka thënë zëvendësguvernatori Bajrami.