TRAEKTORJA NGECI NË KUNDËRSHTIME, GRUEVSKI: NDJEHEM SIKUR TË VIJ NË PUNË

382
0
SHPËRNDAJE

Mesazhet SMS të mos merren si prova, kërkoi ish kryeministri Nikolla Gruevski në seancën e sotme për rastin Traektorja. Ky proces asesi të përfundojë. Që nga fillimi ngeci me kundërshtimet e avokatëve të cilët kërkuan të hedhin poshtë ekspertizat dhe të ndahet një pjesë e provave, por kishin edhe shumë vërejtje të tjera. Sot gjykatësi Goran Boshevski vendosi.

“Propozimi për hedhjen poshtë të ekspertizës të refuzohet si i pabazë. Relevanca e provave mund të kontestohet gjatë procedurës kur do të prezantohen provat. Në lidhje me audio incizimet, pa marrë parasysh se si janë të krijuar, PPS-ja i ka marrë në mënyrë ligjore”, tha Boshevski.

Pasi  u lexua vendimi, Gruevski iu drejtua këshillit gjyqësor. Më e dyshimtë për të, është mënyra në të cilën PPS-ja i ka marrë mesazhet SMS. Ai këmbëngulte se përmbajtjen e tyre e kanë ndryshuar në PPS, por se është e mundur që LSDM t’ia ka dorëzuar prokurorisë në formë të ndryshuar. Para mediave ai u ankua se kjo procedurë është përndjekje politike ndaj tij, ndërsa gjykatësit punojnë nën presion.

“Po shohim gjyqësor të robëruar. Shohim edhe gjykatës në situatë të pakëndshme. Punojnë nën presion. Ata janë të vetëdijshëm se për disa gjëra veprojnë në mënyrë të paligjshme. E shkelin integritetin e tyre për shkak të tensioneve. Edhe kur lexojnë disa prej vendimeve, i lexojnë aq shpejtë që sa më shpejtë të përfundojë turpi”, tha Nikolla Gruevski, Ish kryeministrër, i akuzuar në rastin “Traektorja”.

Prokurorja e PPS-së, Lile Stefanova u përgjigj se Gruevski nga celulari e ka lexuar të njëjtin kundërshtim të një prej avokatëve të tij  për të cilin gjykata tashmë ka vendosur, duke reaguar se kundërshtimet kanë për qëllim që ta shtyjnë procesin.

“Nuk ka arsye që të mos jepen fjalimet hyrës. Janë dorëzuar të gjitha provat përveç audio incizimeve të cilët u ishin të qasshëm avokatëve për t’i ridëgjuar. Të gjitha propozimet dhe kundërshtimet e palës mbrojtëse kanë për qëllim që ta shtyjnë procedurën”, u shpreh Stefanova.

Pala mbrojtëse kërkoi më shumë kohë që t’i ridëgjojë audio incizimet para se ta japë fjalimin hyrës. Gjykatësi u pajtua dhe seancën e radhës e ricaktoi për më 1 mars. Ndërkohë, Gruevski do të duhet të vijë në Gjykatën Penale Shkup në seanca për rastet e tjera në të cilat është akuzuar.

“Aq shpesh më thërrasin këtu në gjykatë, sa kam filluar të ndjehem sikur të vij në punë dhe të kërkoj një zyrë dhe rrogë për këtë”, u shpreh Gruevski.

Përveç Gruevskit, në rastin Traektorja janë të akuzuar edhe ish ministrat në qeverinë e tij, Mile Janakieski dhe Vlladimir Peshevski, por edhe ish drejtori i Agjencisë për rrugë shtetërore, Lupço Georgievski. Sipas PPS-së, në periudhën e viteve 2012 dhe 2013, në procedurën për zgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e rrugëve Milladinovcë – Shtip dhe Kërçovë – Ohër, i kanë keqpërdorur autorizimet e tyre.

Përgatiti Mihajllo Vidimliski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU