Osmani: Në rajon kemi histori të kryqëzuara dhe duhet të bashkëpunojmë

TË FUNDIT

Të gjithë ne në rajon kemi histori të kryqëzuara, interesa dhe të ardhme dhe qëndrimi ynë është që ne duhet të bashkëpunojmë në procesin e integrimit evropian dhe paralelisht t’i zgjedhim çështjet e hapura, pa kushtëzuar njëra-tjetrën, thotë ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në intervistën për “Politika” të Beogradit, dhënë në prag të vizitës së tij të sotme të punës në Serbi.

Duke folur për marrëdhëniet me Sofjen dhe bllokadën bullgare të rrugës evropiane të vendit, Osmani tha se Marrëveshja për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë prezantoi dinamikë të re në marrëdhëniet, e intensifikoi dialogun politik, e rriti tregtinë dhe zgjeroi bashkëpunimin në shumë fusha, të tilla si kultura, arsimi, integrimi evropian, mbrojtja, vetëqeverisja lokale, punët e brendshme.

“Përveç kësaj, kemi krijuar një komision të përbashkët ekspertësh për çështje historike, i cili duhet mbi baza pariteti t’i shqyrtojë çështjet e diskutueshme të historisë dhe në bazë të fakteve të bëjë përfundime. Por, ajo që është më e rëndësishmja është se marrëveshja i ndan çështjet historike nga politika, ndërsa politikën nga historia. Gjegjësisht, marrëveshja parashikon ekspertë nga historia të zgjedhin çështje historike, por edhe se paralelisht ne do të vazhdojmë ta forcojmë bashkëpunimin politik dhe ekonomik”, shton Osmani.

Ai theksoi se megjithëse marrëdhëniet e vendit me Bullgarinë janë të ngarkuara aktualisht “me ndryshime që kanë një kontekst historik”, ai akoma beson se ato mund të kapërcehen.

“Zbatimi i politikës së përgjegjshme dhe ndërmarrja e hapave të pjekur për të ardhmen e vendit nuk është e lehtë, ndërsa shpesh as e popullarizuar. Por, ne besojmë se qytetarët tanë i njohin përpjekjet dhe synimet tona të ndershme dhe se gjeneratat e ardhshme do të jenë mirënjohës ndaj nesh”, tha Osmani.

Lidhur me përpjekjet e disa qarqeve në Prishtinë për të bashkuar Shqipërinë dhe Kosovën, Osmani theksoi se çështja e tërheqjes së kufijve në Ballkan dhe Evropë është tejkaluar, ndërsa anëtarësimi në BE e neutralizon nevojën për t’i ndryshuar kufijtë dhe për të krijuar “shtete të mëdha”.

“Rajoni më në fund duhet të bëhet një gjenerator i sigurisë dhe zhvillimit. Këto duhet të jenë argumentet tona kryesore në garën në botën e globalizimit, në të cilën nuk ka kohë për të pritur”, deklaroi Ministri i Punëve të Jashtme, duke shtuar se vendi e mbështet dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës dhe pranon çdo zgjidhje që del nga negociatat dhe që nuk do të ketë pasoja të dëmshme për rajonin për sa i përket sigurisë.

Osmani në intervistën flet edhe për problemin me pandeminë Kovid-19, me ç ‘rast thekson se dhurimi i vaksinave nga Serbia për Maqedoninë e Veriut është një mënyrë për ta forcuar miqësinë midis dy vendeve dhe një shembull i shkëlqyeshëm për marrëdhëniet në rajon.

“Ky akt e forcon miqësinë midis vendeve tona dhe sjell energji pozitive në rajon. Pandemia është një problem global, ndërsa problemet globale kërkojnë zgjidhje globale. Prandaj, pozicioni ynë është se nevojitet një qasje shumëpalëshe në të cilën bashkëpunimi dhe komuniteti do të dominojnë. Bashkëpunimi midis Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë ngulit shpresën se me një simbolikë të tillë ne do t’i inkurajojmë të gjithë në rajon të mendojnë edhe për të tjerët”, shtoi Osmani në intervistën për “Politika”.