Kosova feston 13 vjetorin e Pavarësisë! Dedaj: Po thonë “liria ka emër”, unë them se ka edhe emër edhe mbiemër

TË FUNDIT

Kosova feston 13 vjetorin e krijimit të shtetit sovran dhe të pavarur, e me këtë rast në Shkup kreu i BDI-së Ali Ahmeti organizoi akademi solemne. Në fjalimin e tij ai tha se këto janë data që s’mund të ndahen si kur festohet në Vlore, Prishtinë, Shkup e Tiranë.

 “Këto janë data që s’mund i ndanë, s’mund e ndanë Vlorën ditën e pavarësisë, a festohet në Shkup, a festohet në Tiranë, a festohet në Prishtinë, është një. Pavarësia e Kosovës është një, Flamuri shqiptar që valëvitet në Shkup, në Shkupin e Hasan Prishtinës është një, i pandryshueshëm”, u shpreh Ali Ahmeti – Kryetar i BDI-së.  

Ambasadori i Kosovës në Maqedoni,  Gjergj Dedajfoli për luftën e Kosovës, dhe akuzat e gjykatës Speciale kundër ushtarëve të UÇK-së, duke shtuar se Kosova është e plagosur padrejtësisht mbas shpine.

 “Po thonë “Liria ka emër”, unë do t’ia shtoja ndoshta padrejtësisht, por “Liria ka edhe emër, edhe mbiemër”. Emrin e ka Ushtria Çlirimtare e Kosovës e mbiemrin e ka Kosovë. Prandaj kam dëshirë, që në emrin e institucioneve dhe popullit të Kosovës, popullit titanik, t’ju përgëzoj, t’ju falënderoj për kontributin historik dhe krucial që keni bërë të gjithë ju, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, vendet fqinje, e në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe NATO për të ndalur holokaustin dhe gjenocidin serb që ka ndodhur në Kosovë”, theksoi Gjergj Dedaj – Ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut.

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte një ngjarje e madhe me përmasa historike pasi që vuri në vend padrejtësinë shekullore ndaj shqiptarëve, tha Fatos Reka, ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni.

 “Shqipëria do të vazhdoj të jetë një mbështetëse e palëkundur dhe avokate e pa kompromis e interesave të vëllezërve tanë kosovarë. Natyrisht si në gjithë rajonin edhe në Kosovë mbetët akoma shumë për të bërë e kjo është detyrë e klasës politike dhe partive që kanë marrë votëbesimin e votuesve për ti çuar përpara arritjet e deritanishme”, theksoi Fatos Reka – Ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut.

Të dielën e 17 shkurtit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë. Nga ai çast, Kosova u shpall e pavarur derisa në Ballkan u konfirmua edhe një shtet i ri. Kosova e pavarur menjëherë nisi të njihej nga shtetet mike. Ky proces u bë i zakonshëm në ditët e para pas pavarësisë, ndërsa deri më tash Kosovën e kanë njohur 117 shtete. Vendi i fundit që e njohu Kosovën është Izraeli.