AKUADUKTI I SHKUPIT NË HARRESË, MINISTRIA E KULTURËS PREMTON PËRKUJDESJE

547
0
SHPËRNDAJE

Këto pamje janë tek monumenti historik Akuadukti.

Ndonëse është një objekt i vjetër 15 shekullorë, ai është i rrethuar nga mbeturinat.

Ky Akuadukt ndodhet në lokalitetin arkeologjik Vizbeg në veri të qytetit të Shkupit.

Përveç mbeturinave për rreth, vërehen dëmtime edhe në vet objektin, për të cilin si duket askush nuk po tregon interes.

“Së paku këto 30-40 vitet e fundit mos të shkojmë më larg, nuk di se diçka është punuar. Dhe ne jemi dëshmitarë vetë dhe ju keni parë që është i dëmtuar, qoftë tullat, qoftë gjërat e tjera që janë pjesë e Akuaduktit”, u shpreh Bekim Trolli, historian.

E pyetëm ministrin kulturës se a e ka në plan të ndërmarr diçka. Ai tha se brenda këtij viti do të rregullohet hapësira rreth Akuadiktit.

“Projekt themelor për rikonstruimin e Akuaduktit të Shkupit do të realizohet në vitin 2018. Në pajtueshmëri me këtë projekt do të përcaktohet edhe dinamika e mbrojtjes së Akuaduktit të Shkupit. Nga ana tjetër, kemi bisedime intensive me qytetin e Shkupit dhe Komunën e Butelit, për marrjen kompetencave për rregullimin e hapësirës rreth Akuaduktit. Shumë shpejt do të dalim edhe me aksion konkret në terren”, tha Robert Allagjozovski, Ministër i Kulturës.

Drejtoresha për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore tha se objekti ka qenë i mbrojtur deri në në vitin 1968 dhe nga atëherë më nuk është ndërmarrë ndonjë aksion për mirëmbajtjen e tij.

“Për herë të fundit është konzervuar në vitin 1968. Nuk janë ndërmarrë masa për pastrim të hapësirës rreth Akuaduktit, me shumë gjasa, pushteti lokal beson që tani duhet treguar interes më i madh në këtë drejtim. Iniciativa është e Komunës së Butelit bashkë me qytetin e Shkupit dhe me Qendrën për Konzervim Shkupi, kuptohet me Ministrinë e Kulturës dhe ne si drejtori për mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore do të marrim pjesë në pastrimin e hapësirës nga hedhurinat që ndodhën pranë Akuaduktit”, tha Eleonora Petrova – Mitevska, Drejtoreshë e DMTK.

Akuadukti është 386 m i gjatë, ka 62 shtylla të cilat kanë lartësi prej 6 metrash. Në aspekt historik ekzistimi i këtij akuadukti dëshmon për ekzistimin e hershëm të civilizimit në vendin tonë, gjegjësisht për infrastrukturën e qytetit të vjetër Shkupit.

Akueduktët janë kanale artificiale në formë të urave të cilit janë ngritur për bartjen e ujit nga një vend në një vend tjetër. Më i qëndrueshëm rezulton konstatimi se ky objekt është ndërtuar në periudhën e hershme bizantine, në kohën e perandorit, Justinianit të Parë, i cili ka qeverisur me Perandorinë e Bizantit gjatë shekullit 6. Për këtë shkak ky objekt quhet edhe “Akuadukti i Justinianit”.

Përgatiti: Almedina Ismajli

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU