REFORMAT NË MEDIA TË LËNA NË HARRESË, QEVERIA: REFORMAT PO VIJOJNË SIPAS PLANIT 369

116
0
SHPËRNDAJE

Përveç vullnetit të shprehur politik të qeverisë për reforma në media, deri tani nuk është bërë asgjë konkrete, vlerësojnë organizatat e mediave.  Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, thotë se asnjë lloj reforme në Maqedoni nuk do të ketë sukses pa reforma në media. Siç thotë ai, në mungesë të opozitës në Kuvend dhe me një kuvend që është shndërruar në makineri votimi, mediat mbesin përcjellësit e vetëm të punës së qeverisë dhe implementimit të reformave.

“Ajo që neve na shqetëson është një dukuri e cila është e pranishme në Maqeodni, qeveria e re është duke organizuar debate fallco publike, ku përpiqet të imponojë zgjidhje në legjislacionin mediatik, të cilat nuk janë në harmoni me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira europiane sa i përket legjislacionit mediatik”, u shpreh Naser Selmani, Kryetar i SHGM-së.

Kryetarja e Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punëtorëve mediatik, Tamara Çausidis thotë se problemi kryesor në Maqedoni, jo vetëm në aspekt të çështjeve mediatike, nuk janë zgjidhjet ligjore por klima dhe atmosfera politike që zotëron tek politikanët. Në këtë aspekt ka përmirësime por ato nuk janë të mjaftueshme dhe nuk janë të shpejta sa duhet.

“Urgjenca për reforma në media aktualizohet, por vetëm në mënyrë deklarative, në deklaratat politike të përfaqësuesve të qeverisë potencohet nevoja për reforma mediatike, por fakt është që ligji për shërbimet audio dhe audiovizuele ende nuk është vendosur në rend të ditës”, tha Tamara Çausidis, nga Sindikata e Pavarur e gazetarëve të Maqedonisë.

Nga ana tjetër, qeveria thotë se të gjitha reformat në media vazhdojnë në kuadër të dinamikës së paraparë me planin 369.

“Shoqëria mediatike duke i përfshirë edhe Organizatat joqeveritare të cilat punojnë në këtë sferë janë pjesëtarë aktiv në procesin e reformave. Në lidhje me Ligjin për shërbime audio dhe audiovizuale, ai është në lexim në zyrën e Komisionit evropian dhe kur të marrim vërejtjet nga ky komisioni në lidhje me të njëjtin, qeveria menjëherë do ta vendosë në rend dite”, nga Qeveria.

Ndryshe nevoja për reforma urgjente në media, është përmendur në Raportin e ekspertëve evropian, të udhëhequr nga eksperti juridik Rajnhard Pribe. Në këto raporte ndër të tjera përmendet edhe nevoja për pavarësimin e mediave, ndryshimin e ligjit për shërbime audio dhe audiovizuele, autonominë dhe financimin e Televizionit Publik të Maqedonisë. Me rekomandimet për reformat në media dolën edhe organizatat qytetare në dokumentin e ashtuquajtur “Blueprint”.

Përgatiti: Bajram Memeti

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU