PROTESTA PËRBALLË KUVENDIT, KUNDËR NATO-s, LIGJIT PËR GJUHËT DHE NDRYSHIMIT TË EMRIT

462
0
SHPËRNDAJE

Derisa sekretari i përgjithshëm i NATOS, Jens Stoltenberg po mbante fjalim brenda, përballë Kuvendit protestohej kundër anëtarësimit në NATO, ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe ndryshimit të emrit.

Në dy cepe të trotuarit, njëkohësisht protestonin disa organizata patriotike si dhe partia politike “E Majta”.

“Maqedonia, ne si maqedonas, nuk kemi nga kush të mbrohemi. Ne duam të tregojmë dashuri dhe mirësi, e jo të hedhim bomba në popuj të pafajshëm dhe t’i pushtojmë bashkë me to”, tha Marijan Lefkovski, nga Lëvizja “Filipi i Maqedonisë”.

“Për ne nuk është e qartë pse duhet të hyjnë në NATO? Pse duhet ta rrisim buxhetin e Maqedonisë për mjete ushtarake për dy për qind, kur kemi probleme shumë së serioze  të cilat nuk janë zgjidhur. Varfëria në Maqedoni, të drejtat e punëtorëve, askush nuk merret me këto”, tha Jovan Kraevska, nga E Majta.

Për ish-deputeten e LSDM-së, Sollza Gërçeva, përfaqësuesi i NATO-s ka ardhur në Maqedoni me një mesazh:

“Tani të gjithë qëndrojnë në leksion para Stoltenbergut. Ky Stoltembergu ka ardhur që të japë një mesazh të qartë, ose do ta ndryshojmë emrin ose nuk ka hyrje në NATO”, tha Sollza Gërçeva, ish deputete.

Në mesin e protestuesve ishte edhe Filip Petrovski nga VMRO-DPMNE, i cili tha se po proteston kundër rrënimit të unitetit të Republikës së Maqedonisë. I pyetur se a po proteston kundër ardhjes së Stoltenberg në Maqedoni, ai u përgjigj:

“Çdo mysafir qëllimmirë është i mirë se ardhur në këtë shtet. Çdo mysafir qëllimkeq do të përballet me fishkëllima. Nëse na e respekton shtetin dhe na konsideron si të barabartë, ashtu siç unë do të doja të na konsideronte, atëherë është i mirë se ardhur”, tha Filip Petrovski, ish deputet.

Gjithashtu përballë Kuvendit u mblodhën edhe nënshkrime, me të cilat mbledhësi i firmave Vladimir Kavadarkov, do të kërkojë që prokurori publik të veprojë kundër dygjuhësisë dhe marrjes së pushtetit me dhunë.

Gazetar: Besir Arifi

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU