GJYKATA E APELIT SOLLI VENDIM, ÇAVKOV MBETET NË PARABURGIM

723
0
SHPËRNDAJE

Gjykata e apelit solli vendim. Mitko Çavkov mbetet në paraburgim. Janë refuzuar edhe ankesat për shfuqizimin e paraburgimit të Igor Drullovskit dhe Bogdan Ilevskit. Sot gjykata e apelit e shqyrtoi ankesën  për paraburgimin e deputetit Sasho Vasillevski. Në bazë të kërkesës së tij, ai nuk u soll në seancë. Avokati i tij kërkoi shfuqizimin e masës.

Ish-ministri për punë të brendshme, Mitko Çavkov, mbetet në paraburgim në Shutkë, vendosi Gjykata e Apelit. Edhe pse para gjykatësve pohonte se ka dhënë direktiva për nxjerrjen më të sigurt të deputetëve nga Kuvendi më 27 prill, gjykata e refuzoi ankesën e tij për shfuqizimin e masës së paraburgimit. Përveç tij në paraburgim mbetet aktori Vllado Jovanovski, udhëheqësit e protestave “Për Maqedoni të përbashkët” Igor Drullovski dhe Bogdan Ilievski, por edhe tetë persona të tjerë ankesat e së cilëve i shqyrtoi Gjykata e Apelit. Sot në seancë publike u shqyrtua edhe ankesa e deputetit të VMRO-DPMNE-së, Sasho Vasillevski, i cili edhe pse kërkoi që publikisht ta arsyetoj ankesën, ka ndërruar mendjen në momentin e fundit dhe ka qëndruar në qeli. Argumentet i prezantoi avokati i tij, Aleksandër Novakovski. Ai ka kërkuar që të shfuqizohet masa e paraburgimit ose t′i caktohet ndonjë masë më e butë.

“Është shkelur procedura për marrjen e imunitetit dhe gjykata duhet ta përmirësoj këtë gabim. Bastisja e Vasillevskit është kryer në mënyrë joligjore dhe nuk i është kushtuar vëmendje fare prezumimit të pafajësisë. Ai nuk ka pasur qëllim që të arratiset, për shkak se nëse ka dashur, një gjë të tillë ka mund ta bëjë shtatë muajt e fundit”, tha Aleksandër Novakovski, avokat.

Prokuroria e lartë publike është kundër shfuqizimit të masës së paraburgimit për shkak se dyshon se të arrestuarit mund të arratisen dhe të ndikojnë në dëshmitarët të cilët janë thirrur për të dhënë dëshmi. Agjenti Munir Pepiq pohonte se ka qenë në detyrë në Kuvend dhe se ka ndihmuar që nga atje të dalë e maskuar Radmilla Sheqerinska, e cila në atë kohë ishte deputete. Ajo sot nuk deshi të komentojë këtë gjë, ndërsa si dëshmitare do të rrëfen versionin e sajë.

“Në fund të muajit jam e ftuar si dëshmitare në lëndën kundër një personi i cili më shkaktoi lëndimin në kokë. Kështu që atëherë për herë të parë do të ndaj informacione. Me të vërtetë nuk mundem t′i komentoj deklaratat e të tjerëve, por doli që më 27 prill të gjithë na kanë shpëtuar, ndërsa ne dolëm me koka të përgjakura”, u shpreh Radmilla Sheqerinska, Ministre e Mbrojtjes në RM.

Hetimin për dhunën e 27 prillit, Prokuroria publike e hapi në fund të nëntorit dhe për “cenim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, akuzoi 30 persona mes të cilëve edhe gjashtë deputet. Në incizimet e Kuvendit të cilat u publikuan në opinion, shihej se si disa prej tyre i hapin dyert që turma të hyjë në hapësirat e Kuvendit. Nga prokuroria thonë se në afat ligjor do të sillet vendim për ngritjen e akuzave.

Përgatiti: Mihajllo Vidimlliski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU