META: DUHET MË SHUMË VËMENDJE PËR FËMIJËT JETIMË

557
0
SHPËRNDAJE

Meta me rastin e festës shpërndau dhurata për fëmijët

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i shoqëruar nga Kapiteni i Kombëtares shqiptare të Futbollit, Ansi Agolli, vizitoi sot Shtëpinë e Fëmijëve “Zyber Hallulli” në Tiranë, duke u takuar e përshëndetur me fëmijët jetimë.

Ilir Meta ua uroi atyre Vitin e Ri 2018 dhe më pas, shpërndau dhurata simbolike në prag të festës së ndërrimit të viteve.

Duke iu drejtuar fëmijëve dhe edukatoreve e kujdestareve të pranishme, “Festat e fundvitit janë ditë reflektimi dhe solidariteti, prandaj duhet më shumë vëmendje dhe dashuri për fëmijët jetimë. Ata i kanë dhe do t’i kenë gjithmonë dyert e hapura në Institucionin e Presidentit të Republikës”, tha ai.

Sipas një komunikate të Presidencës, Meta u interesua për mbarëvajtjen e fëmijëve në shkollë e në mësime, duke i porositur që sa më shumë të mësojnë, aq më të ditur e të aftë do të jenë në të ardhmen, duke u bërë personalitete në shkencë, kulturë, sport, dhe falë talentit të tyre, ndoshta edhe artistë e intepretues të shquar.

Pasi ndoqi një koncert të shkurtër me këngë, kërcime dhe poezi të përgatitur enkas për këtë rast, Presidenti Meta ndau për fëmijët e pranishëm gjelin tradicional të detit për Vitin e Ri dhe shtroi një drekë për ta.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU