VMRO E PAVENDOSUR PËR T’U KTHYER NË KUVEND, ZAEV: PRES QË OPOZITA TË KTHEHET SA MË SHPEJT

169
0
SHPËRNDAJE

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së ende të pavendosur se a do të kthehen në kuvend. Ata mbrëmë gjatë takimit me kryesinë e partisë shqyrtuan mundësinë e kthimit në Kuvend, ndërsa sot, deputetja e kësaj partie, Dafina Jovanovska Stojanovska, theksoi se për këtë temë ende është duke u diskutuar brenda partisë.

“Edhe mbrëmë, edhe sot ende janë në rrjedha konsultimet dhe diskutimet brendapartiake dhe për gjithçka që do të ndodhë gjatë ditës së sotme, nëse kemi informata konkrete do të informoheni në kohë”, tha Dafina Jovanovska Stojanovska.

E në ndërkohë nga partia më e madhe opozitare njoftojnë se koordinatorët e grupeve parlamentare do të takohen me koordinatorin e grupit parlamentar të LSDM-së para se të vendosin nëse do të kthehen në Kuvend.

“VMRO-DPMNE vlerëson se RM mund të ecë përpara vetëm nëse shtëpia ligjvënëse funksionon në atmosferë demokratike ku do të krijohen kushte për pjesëmarrje të opozitës dhe participimin e saj në marrjen e vendimeve”, nga VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër, kryeministri i vendit, Zoran Zaev ka bërë thirrje që opozita të kthehet në Kuvend dhe të marrë pjesë në parashtrimin e pyetjeve gjatë ditës së nesërme, kur dhe është paraparë t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve.

“Unë pres që sa më shpejtë që është e mundur grupe parlamentare e VMRO-DPMNE-së të kthehet në Kuvend. Seanca që ishte e paraparë për sot është shtyrë, mendoj se kishte 5 seanca që duhej të mbahen. Nesër kemi pyetje të deputetëve dhe ne do të jemi aty, por ideja për pyetje të deputetëve para së gjithash është paraparë për opozitën. Nëse ka nga deputetët e tjerë opozitarë, Besa apo partitë tjera, do të jemi aty, por nuk kam ndërmend të përgjigjem në pyetje të deputetëve të shumicës parlamentare, kjo nuk është e ndershme para qytetarëve”, u shpreh Zoran Zaev, kryeministër i RM.

Nga VMRO-DPMNE e as nga LSDM ende nuk kemi informata nëse është mbajtur takimi mes koordinatorëve të grupeve parlamentare dhe çfarë përfundimesh janë arritur nga ky takim. Ndryshe deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk po marrin pjesë në Kuvend si shenjë revolte kundër vendimit për paraburgim të të dyshuarve për sulmet e 27 prillit në Kuvend.

Përgatiti: Bajram Memeti

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU