PAKTI ME BULLGARINË 1 HAP LARG RATIFIKIMIT, KOMISIONI PËR PUNË TË JASHTME DHA DRITË TË GJELBËR

650
0
SHPËRNDAJE

Pesë muaj pas nënshkrimit, Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë e kaloi filtrin e parë. Komisioni për politikë të jashtme në mënyrë unanime e udhëzoi Parlamentin që ta miratoj propozim ligjin për ratifikimin e marrëveshjes. Anëtari i Komisionit, Artan Grubi, theksoi se BDI-ja plotësisht i mbështet përpjekjet e Qeverisë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura me shtetet fqinje, duke thënë se vetëm në atë mënyrë do të mbrohet unitariteti, siguria dhe integriteti territorial i Maqedonisë.

“Me mbylljen e çështjeve të hapura që i ka vendi jonë me vendet fqinje, karakteri unitar i vendit, territori në përgjithësi, integriteti i Maqedonisë dhe sovraniteti i plotë, sigurimi dhe stabiliteti i vendit tonë mbeten e drejtë e jona themelore”, u shpreh Artan Grubi, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme.

Ilija Nikollovski një nga anëtarët e Komisionit, që një periudhë ka punuar në Bullgari, ka vërejtur se po anashkalohet fakti që Bullgaria ishte vendi i parë që e njohu Maqedoninë me emrin e saj kushtetues, por edhe vendi i parë që i hapi kufijtë, kur shteti ishte nën embargo.

“Kjo marrëveshje ka efekt pozitiv për përmirësimin e renomesë së Maqedonisë në suaza ndërkombëtare dhe me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, rejtingu dhe arritja e rezultateve të rëndësishme në plan ndërkombëtar u rrit dhe kontribuoi në afrimin drejt integrimeve euroatlantike që na presin”, tha Ilija Nikollovski, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme.

Për ratifikimin e dokumentit, mbetet që të votohet në seancën plenare në Kuvend. Muajin e kaluar Qeveria bullgare e dorëzoi për ratifikim dokumentin në Kuvendin popullor bullgar në Sofje. Marrëveshja për fqinjësi të mirë, miqësi dhe bashkëpunim mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, që u përgatit me vite me radhë, kryeministrat Zoran Zaev dhe Bojko Borisov e nënshkruan në Shkup më 1 gusht, në gjuhë bullgare dhe maqedonase. Me këtë marrëveshje u angazhuan se dallimet historike nuk do të jenë më pengesë për bashkëpunim dhe ecjes drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-së. Qeveria në Shkup, marrëveshjen e quajti historike, e cila përveç përmirësimit të raporteve me Bullgarinë në më shumë sfera, do t′i sjell Maqedonisë pikë shtesë në integrimin euroatlantik. Partia opozitare, VMRO-DPMNE-ja, disa herë, marrëveshjen e ka vlerësuar si të dëmshme për interesat nacional të Maqedonisë.

Përgatiti: Antonio Krstevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU