“Dhoma publike”, dështim i qytetarisë! Debati në Click plus për numrin e frikshëm të viktimave

TË FUNDIT

Pas skandalit me grupin Dhoma publike në aplikimin Telegram ku keqpërdoreshin fotografi të vajzave nga profilet private të Facebook-ut dhe Instagramit, deputetja e LSDM-së, Snezhana Kaleska Vançeva në emisionin e djeshëm Click Plus në TV21 tha se kjo ngjarje paraqet dështim i gjithë qytetarizmit.

“Çdo dhunë, çdo keqpërdorim unë e përjetoj si dështim, si tmerr, si dështim i qytetarizmit. Për fat të keq, po ballafaqohemi me faktin historik se gruaja gjithmonë ka qenë viktimë e dhunës, ajo më së shumti i ka duruar pasojat . Nëse i analizojmë luftërat, gratë edhe pse nuk kanë marrë pjesë drejtpërsëdrejti në luftë, ato kanë pësuar trauma më të rënda dhe afatgjate. Tani përsëri, dhunën përmes rrjeteve sociale më së shumti e ndjejnë gratë”, tha  Snezhana Kaleska Vançeva – LSDM.

Sipas deputetes së opozitares VMRO-DPMNE, Ivanka Vasilevska, ky është sinjal serioz që na prek të gjithë ne.

“Ne këtë duhet ta shohim si sinjal serioz, shihni se kur na vjen, sapo e votuam ligjin kundër dhunës ndaj grave dhe parandalimit të dhunës familjar, me konsensus të përgjithshëm, me aklamacion nga ana e shoqërisë, nga opinioni publik,, prej nesh si përfaqësues të popullit. Pse? Për shkak se e gjithë kjo na prek të gjithë ne. Në Maqedoni çdo grua e tretë është viktimë e dhunës fizike, çdo e pesta është viktimë e dhunës psikike, tregojnë numrat jozyrtare. Megjithatë numri është më i madh dhe më serioz”, tha Ivanka Vasilevska – VMRO-DPMNE

Të dyja deputetet në emisionin e djeshëm ranë dakord se nevojiten masa më serioze dhe sanksionime për ata që ushtrojnë dhunë ndaj grave. Ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski njoftoi se grupi “Dhoma publike” në Telegram u mbyll, por bëri thirrje për kujdes për shkak se në Telegram ka edhe një grup tjetër i cili është i ngjashëm si grupi në fjalë.  Paraprakisht, ai publikoi se janë arrestuar katër persona, dy nga Manastiri, një nga Velesi dhe një nga Shtipi, si pjesëmarrës direktë në Dhomën publike në Telegram.