VUÇIQ: RUSIA ËSHTË E GATSHME QË TË KYÇET NË DIALOGUN PRISHTINË-BEOGRAD

679
0
SHPËRNDAJE

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi se nga kolegu i tij rus Vladimir Putin ka marrë konfirmim se Rusia është e gatshme të kyçet në dialogun mes Prishtinës dhe Begradit që zhvillohet nën patronazhin e BE-së, nëse zgjerohet formati i tij dhe në të kyçet edhe SHBA-ja.

Vladimir Putin deklaroi se do të mbështesë çdo zgjidhje të ngërçit shumëvjeçar, me të cilën do të pajtohen Beogradi dhe Prishtina.

Kjo është hera e parë, që shefi i Kremlinit shqipton kaq qartë përkrahjen për fundin e një “status quo”-je, të cilën jo më larg se tetori i këtij viti e përdori si argument për të akuzuar Bashkimin Evropian për standarde të dyfishta, në vazhdën e refuzimit që BE-ja i bëri pavarësisë së Katalonjës.

Komentet e Putinit erdhën në përfundim të takimit në kryeqytetin rus me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka dhënë me kohë shenja nga ana e tij se po kërkon që çështja të marrë një drejtim, e këtë e nisi me nismën e dialogut të brendshëm serb.

Putin e ritheksoi qëndrimin e Rusisë për të mbështetur tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Serbisë, ndërsa këmbënguli se situata në Kosovë duhet të zgjidhet në rrugë politike nëpërmjet dialogut, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Vuçiq shprehu mirënjohje për qëndrimin e Moskës ndaj çështjes së Kosovës dhe e siguroi homologun rus se, Serbia do të vazhdojë të mbetet ushtarakisht e paanshme.

Ai theksoi se nëse shqiptarët dëshirojnë që në bisedime të kyçet edhe SHBA-ja, pala serbe do të kërkojë që në to të marrë pjesë edhe Rusia, me qëllim që dialogu të jetë valid.

“Për ne kjo është plotësisht logjike, për shkak se Rusia nuk e pranoi pavarësinë e shpallur të njëanshme të Kosovës. Vetëm kërkojmë sjellje të barabartë rreth kësaj çështje”, deklaroi Vuçiq.

Presidenti serb ka theksuar vazhdimisht se vendi i tij synon integrimin evropian, por njëkohësisht dëshiron të ruajë marrëdhëniet me Rusinë, aleate tradicionale e Serbisë, e cila kundërshton po ashtu pavarësinë e Kosovës dhe nuk e sheh me sy të mirë afrimin e vendeve të Evropës Juglindore me strukturat euroatlantike.

Beogradi ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve euroamerikane kundër Moskës, për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë. Vuçiq ritheksoi se vendi i tij këtë nuk do ta bëjë kurrë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU