KSHZ PO ZBRAZET, DORËHIQET EDHE JAKUPI, URUMOV, BONEVA DHE PREKOPUCAA

783
0
SHPËRNDAJE

KSHZ-ja prej nëntë anëtarëve, tani ka vetëm tre. Dorëheqjet e Çiçakovskit, Dumas dhe Milevit nxitën që edhe Subhi Jakupi, Rexhep Prekopuca dhe Atanas Urumov ta ndjekin shembullin e tyre. Anëtari i KSHZ-së, i cili hyri me rekomandim të BDI-së, në deklaratë për TV21 tha se dorëheqjen e ka dorëzuar sipas vullnetit të tij të lirë. Sipas Jakupit, të gjithë anëtarët e KSHZ-së e pranuan kritikën se vendimi për bonuset është sjellë pas dyerve të mbuluara dhe në mënyrë jo transparente.

“E ndoqa shembullin e kolegëve të mi. E dorëzova dorëheqjen time në Kuvend për shkak se mendoj se edhe pse vendimi ndoshta është në pajtueshmëri me ligjin, do të kontribuojë në të ardhmen tek të rinjtë dhe të gjitha institucionet e tjera, se  për punë jo transparente do të  pësojnë kritika”, tha Subhi Jakupi, anëtar i KSHZ-së.

Edhe Sillvana Boneva e dorëzoi dorëheqjen e saj, ndërsa TV21 arriti që ta gjejë dokumentin të cilin ajo   personalisht na e dërgoi. Në të qëndron se ata u bënë cak i hidhërimit të opinionit publik, ndërsa kanë marrë edhe kërcënime për jetën e tyre.

“Me këtë përndjekje u shkatërrua dinjiteti i institucionit  – KSHZ- i Republikës së Maqedonisë, si organ më i lartë shtetëror i cili ka për detyrë jo vetëm t’i zbatojë zgjedhjet por edhe t’i realizojë referendumet në nivel shtetëror dhe lokal”, u shpreh Boneva.

Ermira Asani e cila në këtë Komision ka më pak stazh për dallim nga anëtarët e tjerë, u emërua me propozim të Besës. Ajo thotë se nuk ka marrë pjesë  në seancën e Komisionit kur është marrë vendimi për ndarjen e bonuseve. Asani në deklaratë për TV21 thotë se ajo nuk ndjen asnjë përgjegjësi dhe se nuk planifikon të japë dorëheqje, por tha se do ta respektojë çdo vendim të sjellë nga ana e partisë e cila e ka deleguar në këtë post.

“Unë si anëtare më e re e KSHZ-së kam shkuar më shumë se 40 herë në relacion Gostivar-Shkup dhe anasjelltas dhe sipas ligjit mendoj se më takojnë mjete financiare për t’i mbuluar shpenzimet e bëra, megjithatë, për arsye të ndryshme, këto para nuk i kam marrë. Kjo do të thotë një pagë e gjysmë nga të ardhurat e mia, prandaj mundem të them se unë kam investuar për të punuar këtu e jo që të marr diçka që nuk më takon”, tha Ermira Asani Salija, anëtare e KSHZ-së.

Deri më tani nuk kemi asnjë informacion nga Sasho Sërcev i cili hyri në KSHZ me propozim të VMRO-DPMNE-së. Edhe pse dy ditë me radhë tentojmë të marrim qëndrim  prej tij, nuk arritëm, ndersa informacionet jo zyrtare tregojnë se edhe ai po e përgatit dorëheqjen e tij.

Përgatiti: Antonio Krstevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU