Komuna e Gostivarit me 3 milionë euro borxh të përgjithshëm

TË FUNDIT

Të ardhurat e zvogëluara nga ekonomia lokale në arkën komunale dhe harxhimet shtesë, kanë kontribuar që borxhi i përgjithshëm të rritet në tre milionë. Me këtë vlerë, vetadministrimi lokal i Gostivarit është në vendin e gjashtë sipas huazimit. Kryetari i komunës, Arben Taravari tha se në këtë periudhë shteti nuk ka ndihmuar me asnjë denar.

Në vitin e ri, Komuna e Gostivarit është huazuar me tre milionë euro. Vitin e kaluar në këtë periudhë, komuna ka pasur borxh pothuaj një milion. Dallimi prej dy milionë për një vit, sipas kryetarit të komunës, ka të bëjë me efektin, të cilin pandemia e ka pasur ndaj ekonomisë lokale.

“Mjaftë është t’i shihni të dhënat nga komuna, të cilat janë me karakter publik dhe do t’i shihni rezultatet. Kjo nuk është rast vetëm me Gostivarin, borxhe kanë edhe komunat tjera. Tetova për shembull është në borxhe pesë herë më tepër se ne. Ata kanë borxh nëntë milionë euro. Sipas huazimit, ne jemi në vendin e gjashtë, edhe pse sipas madhësisë jemi në vendin e katërt”, tha Taravari.

AI vlerësoi se viti i kaluar ka qenë periudhë e rëndë, ku krahas të ardhurave të zvogëluara, vetadministrimi lokal u ballafaqua edhe me bllokimin e llogarisë. Sipas njeriut të parë, në tërë këtë punë negativisht ka ndikuar edhe marrëdhënia e shtetit, i cili, siç tha, ka ndihmuar në mënyrë selektive.

“Kemi periudhë, në të cilën nuk kemi pasur kurrfarë të ardhura. Megjithatë dëshiroj të theskoj se ne nuk kemi pasur kurrfarë përkrahje. Nuk kemi marrë ndihmë nga shteti apo nga ndonjë institucion tjetër. Nuk marrim as doreza, as maska, për dallim nga komunat tjera. Për çfarë selektimi bëhet fjalë, do ta përmend edhe informatën, se nga 35 milionë euro, mjete të cilat janë dedikuar për ndërtimin e e aeroportit në Shtip, ne nuk kemi marrë asnjë denarë”, nënvizoi Taravari.

Ai ka shprehur optimizëm dhe shpreson se gjendja do të përmirësohet nëse kalojnë disa ligje të cilat kanë të bëjnë me financimin e komunave.