GRUEVSKI NË GJYKATË PËR “SHUPLAKAT”, FETAI: AI MUND TË DËNOHET ME 5 VJET BURG

1028
0
SHPËRNDAJE

Duke u përgjigjur pyetjeve të PPS-së, ish kryetari i Qendrës, Andrej Zhernovski, në seancën e sotme, tha se ka vërejtur komunikim ndërmjet këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së dhe turmës e cila ka protestuar. Në momentin kur kanë filluar të hedhin drejt tyre me sende të ndryshme, njësitë speciale të policisë aspak nuk kanë reaguar, ndërsa cak i protestuesve ka qenë ai dhe këshilltarët e LSDM-së. Për qytetarët të cilët kanë protestuar, Zhernovski tha se shumica prej tyre nuk kanë qenë prej kësaj komune. Zhernovski pohon se ka pasur informata se Gruevski i mobilizoi anëtarët e partisë në Shkup që të protestojnë kundër shfuqizimit të Planeve të detajuara urbanistike.

“Tregova se kush janë ata që kanë marrë pjesë në protestat  dhe shpresoj se deklarata ime do të kontribuojë që organizatorët e këtyre ngjarjeve, të mbajnë përgjegjësi, jo vetëm për këtë që e kanë bërë, por me qëllim që kjo gjë të mos përsëritet në të ardhmen”, u shpreh Andrej Zhernovski, ish Kryetar i Qendrës.

Ish kryeministri Nikolla Gruevski, seancën e sotme e vlerësoi si përndjekje politike ndaj tij, për shkak se akuzohen për disa dritare të thyera.

“Ne jemi këtu me ditë dhe muaj të tërë, nëpër gjykata, për shkak se në ndonjë protestë janë thyer disa dritare, dhe tani hetojnë nëse ka pasur organizator. Bëhet fjalë për një situatë absurde në të cilën dëshmitarët janë kundërshtarët tanë politike”, tha Nikolla Gruevski, i akuzuar.

Prokurorja Fatime Fetai, në gjykatë i bëri vërejtje Gruevskit, që në vend se ta ndjekë seancën, ai ka qenë i zënë me celularin e tij, por jashtë e kujtoi për veprën për të cilën është i akuzuar.

“Nikolla Gruevski akuzohet për vepër penale “dhunë” sipas nenit 386 të Kodit Penal, gjë për të cilën është paraparë dënim me burg prej 6 muajve deri në 5 vite. Aktivitetet për të cilat ngarkohet ai dhe të akuzuarit të tjerë, janë të përshkruar në mënyrë të detajuar në propozim akuzën sipas të cilës po veprohet”, tha Fatime Fetai, prokurore në PPS.

Dy të akuzuar në këtë lëndë tashmë e pranuan fajin. Në procedurë të ndarë, deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Tomisllav Llazarovit dhe Jordan Ristevskit u ishte shqiptuar dënim me kusht.

Përgatiti Mihajllo Vidimliski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU