NINXHA DHE KOLO NË ARRATI, DIMOVSKI: PRES FTESË NGA GJYKATA PËR TU PRONONCUAR

631
0
SHPËRNDAJE

Aleksandar Vasilesvki- Ninxha dhe Nikolla Petrovski-Kolo janë pjesë e gjashtë personave të cilët ende po kërkohen nga policia në lidhje me ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Kuvend. Mësojmë se mes personave të cilët janë të pa kapshëm për policinë janë edhe Mitre Pitropovski, Dejan Davidovski Deshko dhe Mladen Dodevski. Nga MPB tani për tani nuk japin detaje në lidhje me kërkimin, por thonë se janë duke kontrolluar më shumë lokacione në vend. Mbi atë se Aleksandar Vasilevski- Ninxha dhe Nikolla Mitrovski-Kolo janë të involvuar, pohonte LSDM tre ditë pas dhunës, në pres-konferencën e partisë  ku i paraqiti si persona të cilët e udhëzuan turmën drejt deputetëve, ndërsa ata shihen edhe në video-incizimet e Kuvendit.

Deputetët u sollën para gjykatësit të procedurës paraprake të mërkurën, por atëherë mes tyre nuk ishte edhe deputeti Lupço Dimovski. Ai thotë se nuk ka marrë ftesë nga Gjykata penale.

“Unë gjatë gjithë kohës jam i qasshëm, takohem me deputetë dhe qytetarë. Lëviz nëpër qytet, paraqitem në vende publike dhe po e pres ftesën e gjykatës që të mund të prononcohem. Në kontakt të vazhdueshëm jam edhe me avokatin tim”, tha Lupço Dimovski, deputet i PSM.

Duket se në gjykatë ende nuk ka arritur vendimi në lidhje me marrjen e imunitetit të deputetëve, dhe as prokuroria nuk ka lajmërim nga ana e gjykatës. Në këto rrethana, avokatët thonë se mbeten në fuqi ftesat e kaluara, para gjykatës të paraqiten të hënën dhe të martën. Pas informatave se për shkak të dyshimit të përfshirjes së mundshme në dhunën e bërë në kuvend, policia kreu bastisje edhe në shtëpinë e deputetit të RDK, Vesel Memedi dhe ia ka marrë celulain, ai sot u përgjigj :

“Unë jam krenar se në asnjë mundësi, me asnjë fakt, nuk jam i përfshirë në asnjë aktivitet kundërligjor, dhe pres  qe organet e drejtësisë edhe publikisht të prononcohen dhe ta verifikojnë pafajësinë time”, tha Vesel Memedi, deputet i RDK-së.

Nga 36 personat të cilët prokuroria për krim të organizuar i akuzon për dhunë në Kuvend, shumica janë në paraburgim efektiv, ndërsa disa të tjerë në paraburgim shtëpiak. Ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski për TV21 tha se për përparimin demokratik të Maqedonisë është e nevojshme që sa më shpejtë të pastrohen gjërat në lidhje me ngjarjet e 27 prillit.

“Ato ishin ngjarje në të cilat kemi iniciator, grup të organizuar i cili synonte dhe u fut në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë me dhunë. Kjo do të thotë shkelje të rendit kushtetues të RM-së pasi që hyrje me dhunë në cilin do institucion shtetëror, nënkupton shkelje të rendit kushtetues. Vec asaj kemi edhe akt të paramenduar për vrasje të disa deputetëve”, u shpreh Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Deri më tani për dhunën në Kuvend janë dënuar 9 persona për pjesëmarrje në turmë. Sulmuesi i deputetes së atëhershme, Radmila Shekerinska, u dënua me 4 vite burgim,  ndërsa është ngritur akuzë edhe kundër nëntë personave të tjerë për tentim vrasje të deputetit Ziadin Sela.

Përgatiti: Mihajllo Vidimliski

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU