PROPOZIM-BUXHETI PËR 2018-n NË KUVEND, PUSHTETI E QUAN QYTETAR, PËR OPOZITËN ËSHTË JOZHVILLIMOR

1083
0
SHPËRNDAJE

Në fjalimin prej 30 minutash, ministri i financave Dragan Tevdovski para deputetëve u përpoq t’i arsyetojë projektet për të cilat do të shpenzohet buxheti më i madh deri tani i parashikuar për vitin e ardhshëm. Janë projektuar rritje të mjeteve edhe në pjesën e të ardhurave, edhe në atë të shpenzimeve. Tevdovski pohon se do të shpenzohet në investime kapitale, në zhvillimin e investimeve vendore por edhe në tërheqjen e investimeve të huaja të cilat do të duhet të kontribuojnë në hapjen e vendeve të reja të punës. Sipas Tevdovskit, synimi i qeverisë është ta ulë deficitin buxhetor përmes konsolidimit fiskal.

“Projekt-buxheti e pasqyron përcaktimin tonë të fuqishëm për shpenzim transparent dhe ekonomik të parave shtetërore. Siç mund të shihet qartë nga propozimi, paratë shtetërore do të shpenzohen në masa të vërteta të cilat do të kontribuojnë në përmirësimin e ekonomisë dhe të jetesës së qytetarëve” u shpreh Dragan Tevdovski, Ministër për Financa.

Edhe për Avokatin e Popullit Ixhet Memeti, ky projektbuxhet është pozitiv, për shkak se, siç tha, për dallim nga vitet e kaluara, për institucionin që ai drejton, janë paraparë më shumë para. Ai theksoi se do të kujdeset që të realizojë sa më tepër projekte, në raport me vitet e mëparshme.

“Me këtë buxhet dhe me ekipimin e institucionit, do të mund më shpesh të japim raporte nga fusha të ndryshme të shoqërisë, që ju të informoheni se si është gjendja në shoqëri dhe cilat janë problemet e qytetarëve”, tha Ixhet Memeti, avokat i popullit.

Diskutimi u nxeh pas ballafaqimit të argumenteve nga radhët e deputetëve të pushtetit dhe të opozitës. Retorikë e njohur por me ndryshim të roleve.  Tani, janë socialdemokratët ata që pohojnë se propozojnë buxhet qytetar dhe se do të shpenzohet në mënyrë ekonomike. Nga VMRO-DPMNE-ja ia dolën të vërejnë se me këtë buxhet, paratë do të shpenzohen në mënyrë joefikase. Madje, nga kjo parti i përdorën edhe frazat “shpenzime joproduktive” dhe “punë jotransparente”,

“Nëse këtë buxhet do ta përmblidhnim në tre fjalë, ato do të ishin: stabiliteti – për shkak se me të stabilizohet ekonomia, rritja – e gjallëron ekonominë me investime më të larta  dhe drejtësia – sepse parasheh qasje transparente, pedante dhe të përgjegjshme gjatë shpenzimit të parave buxhetore”, tha Vasko Kovaçevski, deputet i LSDM.

“Paratë për subvencionimin e pagës minimale nuk mbërritën deri te punëdhënësit që duhej ta paguanin atë, ndërsa në anën tjetër kemi reagim nga industria tekstile dhe paralajmërime për mbyllje të kapaciteteve të tyre”, tha Dragan Cukllev, deputet i VMRO-DPMNE.

Përndryshe, për vitin e ardhshëm, qeveria pret rritje ekonomike prej 3.2%. Deficiti buxhetor duhet të ulet dhe të jetë 2.7% e Bruto Prodhimit Vendor. Shpenzimet buxhetore janë projektuar në vlerë prej 211.7 miliardë denarë ndërsa të ardhurat në 193.5 miliardë denarë.

Përgatiti: Ile Petrevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU