10MINUTA – 109 VJET ALFABETI I GJUHËS SHQIPE

726
0
SHPËRNDAJE

Nismën për thirrjen e Kongresit kombëtar për vendosjen e një alfabeti të vetëm e mori klubi shqiptar “Bashkimi” i Manastirit, që luajti rolin kryesor midis klubeve shqiptare. Qysh në ditët e para pas shpalljes së kushtetutës patriotët shqiptarë, e në mënyrë të veçantë drejtuesit e klubit “Baskimi” të Manastirit, duke kuptuar rëndësinë e madhe që kishte çështja e alfabetit të vetëm për zhvillimin e mëtejshëm të lëvizjes kombëtare në Shqipëri, e shpallën atë si detyrën e tyre më të ngutshme. Si rezultat i punës përgatitore dhe organizative, që zhvilluan klubet e shoqëritë tjera shqiptare, më 14 nëntor të vitit 1908 u mblodhën në qytetin e Manastirit, në ndërtesën ku ishte vendosur selia e klubit “Bashkimi”.

Në Kongres morën pjesë 32 delegat me të drejtë vote, të cilët përfaqësonin 26 qytetet dhe shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut. Kryesia që do të udhëhiqte e drejtonte punimet e Kongresit të alfabetit ishte e përbërë: Kryetar i Kongresit, Mithat Frashëri, nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi, sekretarë Hilë Mosi, Toma Avrami dhe Nizhet bej Vrioni. Në seancën e po kësaj dite të tretë, më 16 nëntor, që ishte e rezervuar vetëm për delegatët e Kongresit, u vendos përfundimisht që të zgjidhej një komision prej 11 personave, ku të bënin pjesë përfaqësues të alfabeteve të Stambollit, të “Bashkimit” dhe të “Agimit” dhe publicistë e intelektualë të njohur.

Komisioni përbëhej nga Atë Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Mithat Frashëri, Shahin Kolonja, Dhimitër Buda, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Bajram Fehmi Topulli, Nizhet Vrioni dhe Gligor Cilka.Vendimi i Komisionit të alfabetit u shpall në mbledhjen e hapur të Kongresit më 20 nëntorë, dita e 7 e punimeve të tyre. Komisioni solli vendimin që për krijimin e alfabetit shqip të merret alfabeti latin, të cilin e miratuan edhe delegatët. Por, jo të gjithë intelektualët e kohës patën rastin të marrin pjesë në këtë Kongres.

Kjo është letra origjinale, që delegati i shqiptarëve të Siçilisë, Paolo Sçiro, më 25 tetor të vitit 1908 ia dërgoi Fehmi bej Zavalanit, i cili atë kohë ishte presidentit i klubit shqiptar “Bashkimi” në Manastir.

“Shumë i ndrituri zoti president, duke mos mundur të marr pjesë, për arsye pune, në Kongres, që do të zhvillohet shumë shpejtë atje për të vendosur alfabetin definitiv të gjuhës sonë, dërgoj me entuziazëm aderimin tim dhe si delegat i shqiptarëve të Siçilisë. Ndërsa, uroj që Kongresi t’ia dalë qëllimit për të vendosë baza të forta në literaturë për jetën tonë kombëtare intelektuale, dëshiroj përzemërsisht që atdheu, për hire të Zotit, të rilind në qytetërim e të kthehet në shkëlqim bazar me shtetet motra”, nga Paolo Sçiro, delegatë i shqiptarëve të Siçilisë.

Ndera sot, në shënimin e ditës së alfabetit të gjuhës shqipe, festa kryesore zhvillohet në Muzeun e Kongresit të Manastirit, ku më 22 nëntor të vitit 1908, parë 11 rilindësit nga të gjitha trojet shqiptare u mblodhën në Manastir për të unifikuar alfabetin prej 36 shkronjave. Tani në përvjetorin e 109-të, Muzeu po vizitohet nga qytetarë të shumtë nga vendi dhe shtetet tjera. Sipas drejtorit Nuer Arsllani, në këtë ditë solemne, dyert janë të hapura për të gjithë, për të parë për së afërmi fotografitë dhe dokumentet origjinale të vendosura nëpër dhomat e Muzeut ku u zhvillua Kongresi i Manastirit. Ai tha se kjo është dita e pestë e vazhdës së aktiviteteve kulturore e shkencore që po zhvillohen në qytetin e Manastirit.

Nga drejtoria thonë se Muze do të vizitohet nga nxënësit që të prekin për së afërmi vendin e zanafillës së alfabetit, shkronjat e të cilës i mësojnë që në klasë të parë.

Me enterierin nuk kemi probleme thonë nga udhëheqësia e muzeut, duke shtuar se duhet të mbrohet autenticiteti i ambientit të brendshëm ashtu siç ka qenë gjatë mbajtjes së Kongresit në atë kohë. Me marrjen e një fondi nga IPA, thotë drejtori Arsllani, se do të zgjidhen shumë çështje për tu dukur origjinale godina e muzeut edhe nga jashtë.

Një ditë më parë Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta u zotua se shteti shqiptar do te jetë në dispozicion për të dhënë kontributet që kërkohen, duke shtuar se ky muze duhet të vizitohet edhe nga nxënësit e të gjitha trojeve shqiptare.

Por, sa është i vizituar gjatë tërë vitit ky muze? A duhet që Ministria e Arsimit të vendosë në plan programet shkollore, vizitën e rekomanduar të Muzeut, të paktën nga nxënësit shqiptarë.

Në shënimin e përvjetorit të ditës së alfabetit, dy vjet më parë u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi në mes Ministrive të arsimit të Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë, për investime të përbashkëta në këtë vlerë kombëtare, por akoma nuk ka asgjë konkrete. Madje shtëpia muze e Kongresit të Manastirit nuk është as në agjendën e këtyre ministrive për të sjell në ekskursion nxënësit e shkollave nga këto vende, të paktën për të vizituar nga afër vendin ku u themelua alfabeti shqip, 109 vjet më parë.

Një marrëveshje dypalëshe tani më ekziston edhe në sferën e kulturës me shtetin shqiptar.

Gjithashtu, edhe dyqani i qeramikave që ishte në katin përdhese është dislokuar, duke i paguar qira pronarit privat, për t’i hapur rrugën një projekti të ri që do t’i ngjante natyrës së këtij muzeu.

Cila është ideja që të shfrytëzohen këto hapësira?

Kjo godinë për disa vjet rresht ishte cak i sulmeve vandale, ku nga persona të pa njohur janë thyer xhamat dhe janë dëmtuar vitrinat me artefakte historike. Shpesh ky vandalizëm është dyshuar se ka të bëj me raportet ndër-etnike në këtë qytet. Sipas të dhënave zyrtare në Manastir jetojnë mbi 105 mijë banorë, kurse shqiptarët kanë mbetur në nivelin 5%-shit të popullsisë së qytetit të shkronjave. Muzeu i Alfabetit është i pajisur me kamera sigurie, të cilat përpos pamjeve të sulmeve, policia nuk ka bardhur asnjë prej këtyre rasteve.

Kurse, banorët thonë se bashkëjetesa ndërmjet komuniteteve të ndryshme në Manastir është e mirë.

“Gjatë gjithë jetës këtu në Manastir, i cili njihet si qytet kosmopoliti, si një qytet në të cilin gjithmonë ka pasur bashkëjetesë, paqe dhe mirëqenie, ku gjithmonë jemi ndihmuar mes veti. Duhet patjetër të ketë bashkëjetesë paqësore, të respektohemi mes-veti, pa dallim të kombësisë, fesë apo emrave. Mund të kemi raste të fatkeqësive në të cilat deri sa të vijë ndihma e shpejtë, zjarrfikësit ose policia njerëzit mund të humbasin jetën nëse nuk i kemi fqinjët që të na vijnë në ndihmë. Pra, nëse nuk kemi bashkëjetesë, nuk kemi asgjë.”

Në patroniatin e Ministrisë së Kulturës, godina ku u mbajt Kongresi i Manastirit u shndërruar në Institucion kombëtarë “Muzeu i alfabetit të gjuhës shqipe”. Aty ruhen artefakte të asaj kohe, duke filluar nga fotografitë, portretet e protagonistëve, dokumentet e dorëshkrime, Vendosja e 9 figurave me veshje kombëtare e deri tek figurat prej dylli të 11 delegatëve të komisionit, të cilët i vënë firmën vendimit për alfabetin që ne e gëzojmë sot.

Ekspozita e përhershme e këtij muzeu përbëhet prej 51 fotografive, të punuara me teknologjinë e fundit, e cila paraqet personat, të cilët kanë kontribuar në zhvillimin e alfabetit shqip nëpër shekuj, dhe fotografitë e delegatëve që morën pjesë në Kongresin e Manastirit, 14-22 nëntor 1908 të mbajtur në qytetin e Manastirit dhe 58 dokumente. Vitrinat që gjenden në objektin e Muzeut të alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir, kanë një rëndësi të madhe sepse në të gjenden dokumente që dëshmojnë për zhvillimin e alfabetit shqiptarë nëpër shekuj. Ky muze ka një kopje autentike të vendimit ku u shpall alfabeti i gjuhës shqipe, të nënshkruar nga pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit.

Përgatit: Adnan Qaili

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU