109 VJET ALFABETI I GJUHËS SHQIPE, FESTA SHËNOHET NË MUZEUN “KONGRESI I MANASTIRIT”

458
0
SHPËRNDAJE

Flamuri kuq e zi, në ballkonin e Muzeut të Alfabetit të gjuhës shqipe, qëndron vetëm gjatë festës së 22 nëntorit. Përveç dokumenteve, dorëshkrimeve dhe portreteve të protagonistëve të 109 vjetëve më parë, në hapësirat e muzeut janë shtuar edhe 11 pikturat e rilindësve, të cilët përpiluan alfabetin në vitin 1908.

Sipas drejtorit Nuer Arsllani, në këtë ditë solemne, dyert janë të hapura për të gjithë, për të parë për së afërmi fotografitë dhe dokumentet origjinale të vendosura nëpër dhomat e Muzeut ku u zhvillua Kongresi i Manastirit.

“Me rastin e 109 vjetorit të themelimit të alfabetit të gjuhës shqipe, këtë vit kemi organizuar edhe koloninë e artistëve, të cilët ishin të vendosur këtu në Manastir. Ata filluan më datën 18, duke shënuar fillimin e Kongresit të alfabetit të gjuhës shqipe, duke i pikturuar 11 viganët të komisionit të alfabetit të gjuhës shqipe. Këto piktura iu dhuruan muzeut tonë dhe shpresojmë që në të ardhmen kjo koloni e artistëve të vazhdoj me aktivitete çdo përvjetor”, tha Nuer Arsllani, drejtor i Muzeut të Alfabetit të gjuhës shqipe.

Nga drejtoria thonë se muzeu do të vizitohet nga nxënësit që të shohin për së afërmi vendin e zanafillës së alfabetit, shkronjat e të cilës i mësojnë që në klasë të parë. Kurse, sot, vizitorë ka anembanë vendit.

“Është shumë mirë të festojmë së bashku dhe të kujtojmë të gjithë atë që është bërë për alfabetin tonë. Si këta personaliteti që po i shohim nëpër fotografi, e kanë dhënë edhe pasurinë për kombin, gjithashtu edhe ne nesër do të kontribuojmë dhe të bëhemi fytyra eminente për të mbetur në histori për sa i përket gjuhës shqipe dhe në fushat tjera të jetës”, tha një vizitor.

“Po shumë mirë, pasi që po na tregon edhe për historinë tonë, që nga fillimet e alfabetit tonë edhe gjithçka që ka të bëj me historinë tonë të gjuhës shqipe. Të jetosh në Manastir, normalisht që është vështirë, sidomos kur je i diskriminuar në të gjitha aspektet në një shtet siç është Maqedonia. Pak a shumë po e lidhi me problemet e fundit, të cilat ndodhin në Maqedoni”, tha Kaltrina Selishta, vizitore.

Kjo godinë për disa vjet rresht ishte cak i sulmeve vandale, të cilës nga persona të pa njohur i janë thyer xhamat dhe janë dëmtuar vitrinat me artefakte historike. Muzeu i Alfabetit është i pajisur me kamera sigurie, të cilat përpos pamjeve të sulmeve, policia nuk ka bardhur asnjë prej këtyre rasteve. Por, banorët thonë se bashkëjetesa ndërmjet komuniteteve të ndryshme në Manastir është e mirë.

“Gjatë gjithë jetës këtu në Manastir, i cili njihet si qytet kosmopoliti, si një qytet në të cilin gjithmonë ka pasur bashkëjetesë, paqe dhe mirëqenie, ku gjithmonë jemi ndihmuar mes veti. Duhet patjetër të ketë bashkëjetesë paqësore, të respektohemi mes-veti, pa dallim të kombësisë, fesë apo emrave. Mund të kemi raste të fatkeqësive në të cilat deri sa të vijë ndihma e shpejtë, zjarrfikësit ose policia njerëzit mund të humbasin jetën nëse nuk i kemi fqinjët që të na vijnë në ndihmë. Pra, nëse nuk kemi bashkëjetesë, nuk kemi asgjë”, tha Sllavçe Spirovski, banor i Manastirit.

Në shënimin e përvjetorit të ditës së alfabetit, dy vjet më parë u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi në mes Ministrive të arsimit të Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë, për investime të përbashkëta në këtë vlerë kombëtare, por akoma nuk ka asgjë konkrete. Madje shtëpia muze e Kongresit të Manastirit nuk është as në agjendën e këtyre ministrive për të sjell në ekskursion nxënësit e shkollave nga këto vende, të paktën për të vizituar nga afër vendin ku u themelua alfabeti shqip, 109 vjet më parë. Gjithashtu, edhe dyqani i qeramikave që ishte në katin përdhese është dislokuar, duke i paguar qira pronarit privat, për t’i hapur rrugën një projekti të ri që do t’i ngjante natyrës së këtij muzeu.

Përgatit: Adnan Qaili

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU