“25 MAJI” APO “22 NËNTORI”, SHKOLLA FILLORE NË HASANBEG ME DY EMRA

616
0
SHPËRNDAJE

Edhe ky 22 nëntor e gjeti shkollën fillore të Hasanbegut me emrin e vjetër. Ndonëse zyrtarisht ajo vazhdon të quhet “25 maji”, në përdorim jozyrtar ajo tanimë njihet si shkolla fillore “22 nëntori”.

Sipas drejtorit, shkolla i posedon të gjitha dokumentet që emri i saj të ndryshohet, por se e vetmja pengesë ka qenë zvarritja e kësaj çështjeje në përbërjen e kaluar në Komunën e Gazi Babës.

“Akoma nuk kemi de-facto me dokumentacion se përse nuk votohet sipas ligjit, që duhet të votohet në Këshillin Komunal ndryshimi i emrit, që pastaj ne të bëjmë kërkesë për ndryshimin e statutit në Ministrinë e Arsimit” thotë drejtori i shkollës, Fadil Murtezani.

Sipas Murtezanit, emri “22 nëntori” është bërë me kompromis nga të gjitha palët që do të preken nga ky ndryshim.

“Është këshilli i prindërve, këshilli arsimor, këshilli i shkollës dhe bashkësia vendore.  Këto janë organet zyrtare që e kanë sjell vendimin për ndryshimin e emrit, dhe për këtë arsye ne e manifestojmë sipas dëshirës dhe vendimit të këshillit të prindërve, sepse ata nuk duan që ne të manifestojmë dhe festojmë për “25 majin”, kjo është arsyeja kryesore. Nuk tangon ligji, sepse ne i kemi plotësuar kushtet sipas ligjit.” tha Murtezani.

Drejtori i shkollës thotë se këtë javë në Komunën e Gazi Babës është dorëzuar kërkesa e katërt për ndryshimin e emrit dhe sipas ligjeve në fuqi brenda dy javësh duhet marrin një përgjigje.

Për këtë çështje kërkuam edhe qëndrim zyrtar nga Komuna e Gazi Babës, por nga kjo komunë nuk preferuan të japin përgjigje. Megjithatë, nga burimet tona konfidenciale kumtuam se në përbërjen e re ekziston një frymë pozitive për zgjidhjen e çështjes së emrit të shkollës së Hasanbegut.

As drejtori i shkollës nuk e fshehu optimizmin që në një të ardhme të afërt “25 maji” edhe zyrtarisht të quhet “22 nëntori”.

Përndryshe data 25 maj në ish-Jugosllavi është festuar si dita e rinisë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU