HEQJA E DOGANËS PËR AKUMULATORËT, A PO I BËNË ANGJUSHEV FAVOR FIRMËS SË TIJ?

477
0
SHPËRNDAJE

Ulja e doganës për akumulatorët që aktualisht përdoren vetëm në kompaninë nga Velesi Brako, pronë e zëvendëskryeministri Koço Angjushev, po bëhet me kërkesë të një kompanie nga Polonia që është një investitor potencial në Maqedoni, pohon Agjushev. Por mbi një muaj, për këtë vendim, ka reagime të ashpra, të cilat, mes tjerash, sugjerojnë se zëvendëskryeministri miraton ligje vetëm për profit personal. Angjushev ndërkaq pohon se ky vendim është në interes të rritjes së eksporteve.

“Bëhet fjalë për një kompani që në Maqedoni dëshiron të prodhojë mopedë. Të gjithë prodhuesit e tjerë të veturave elektrike do të mund të importojnë bateri elektrike me litium që përdoren në veturat “Teslla”. Pra, edhe këta të importohen me tarifa doganore të njëjta si në Bashkimin Evropian, sepse ne gabimisht, kemi vendosur tarifë prej 15%, ndërsa me këtë tarifë, prodhimi nuk mund të jetë konkurrues në treg”, tha Angjushev.

Për momentin, procesi ka ngecur në institucione. Ministria e Ekonomisë dhe ajo e financave duhet t’i harmonizojnë qëndrimet rreth uljes së doganës për importim të baterive me litium për vetura elektrike. Vendimi pritet të miratohet për disa javë. Ministria e Financave nuk zbulon më shumë detaje. Nga Ministria e Ekonomisë theksuan se sjellja e kësaj mase është e arsyeshme për arsye se ajo vlen për një mall që nuk prodhohet në vend dhe që ka tarifë doganore shumë më të lartë në krahasim me tarifat në vendet anëtare të BE-së. Gjithashtu, i njëjti nuk e dëmton konkurrencën në industrinë vendore, ndërsa këto lloj baterish do të mundësojnë edhe tërheqjen  e investimeve të huaja në këtë fushë.

“Me rastin e propozimit të masës, u mor parasysh fakti se kërkesa për vetura elektrike shënon rritje për shkak të karakteristikave ekologjike të veturës si dhe për shkak të politikës së BE-së për subvencionim të importit të këtyre veturave. Është e rëndësishme që Republika e Maqedonisë sa më parë të përfshihet në prodhimin e veturave elektrike. Nisur nga kjo, të gjithë investitorët e kësaj fushe janë të mirëseardhur. Ne duhet të bëjmë përpjekje në krijimin e kushteve konkurruese me qëllim që investitorët të interesohen për të investuar në Republikën e Maqedonisë”, nga Ministria për Ekonomi.

Për vendosjen e kësaj mase, reagoi partia opozitare VMRO-DPMNE. Sipas tyre, qeveria po e shndërron shtetin në një firmë private e cila punon për nevojat e partisë.

“LSD po vihet në funksion të zëdhënësit të qeverisë dhe po tenton ta arsyetojë vendimin e qeverisë për heqjen e doganës për akumulatorët që në Maqedoni i shfrytëzon vetëm firma e Koço Angjushevit. LSD po i manipulon qytetarët dhe nën maskën e “mbrojtjes së mjedisit jetësor”, po i rrit tatimet të cilat do t’i paguajnë qytetarët më të varfër, ndërsa për më të pasurit, realizon lirime tatimore dhe doganore. Kjo është barazia dhe solidariteti që e premtonte LSD-ja”, nga VMRO-DPMNE.

Kjo nuk është hera e parë që vëmendja e opinionit të orientohet kah zëvendëskryeministri Angjushev. Edhe para se ai të emërohej nënkryetar i qeverisë, doli afera se ai ka një firmë partneriteti të regjistruar në Belize. Më pas, pasoi edhe një tender i kontestueshëm i kompanisë ELEM në të cilin mori pjesë kompania e tij Feroinvest. Në këtë rast, Angjushev arsyetohej se nuk ka konflikt interesash, sepse, siç pohonte, ai është vetëm pronar, ndërsa drejtues të firmës janë persona të tjerë.

Përgatiti: Ile Petrevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU