LLAZAROV PRANON FAJIN PËR “SHUPLAKAT NË QENDËR”, GRUEVSKI, JANAKIEVSKI E RANGELLOVA NUK NDJEJNË FAJ

407
0
SHPËRNDAJE

Timosllav Llazarov u deklarua fajtor për akuzat e PPS-së në rastin e ashtuquajtur “Shuplakat në Komunën Qendër” ku akuzohet për nxitje të ushtruesve të dhunës. Pas pranimit të fajit, gjykatësja Tatjana Mihajllova procedurën kundër tij e ndau veç, ndërsa njëjtë veproi edhe për Dimço Kërstevin, i cili sot në seancë gjyqësore  u soll përmes rojeve. Megjithatë, 12 të akuzuarit e tjerë do të gjykohen më vete. Llazarov tha se është penduar dhe kërkoi nga gjykata rrethana lehtësuese. Ai nuk deshi të prononcohej para mediave, por vetëm tha se do ta presë vendimin e gjykatës.

“Nuk mund të shtoj asgjë më shumë. Atë që kisha për ta thënë, e thash në gjykatë”, tha Tomisllav Llazarov.

Të akuzuarit e tjerë, në mesin e të cilëve edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministri Mile Janakievski dhe deputetja Daniella Rangellova, para gjykatëses thanë se nuk ndjehen fajtorë, ndërsa para kamerave, refuzuan ta komentojnë pranimin e fajit nga ana e Llazarovit.

“Sot vazhdoi diskutimi në lidhje me këtë rast në të cilin, për herë të parë kisha rastin të them se jam i pafajshëm dhe shpresoj se ky proces të përfundojë sa më parë, ndërsa me këtë do të përfundonte e gjithë kjo ngjarje në të cilën do të dëshmohet pafajësia ime. Nuk mund të komentoj. Ai ndoshta ka pasur arsye personale përse është shprehur ashtu”, tha Nikolla Gruevski, Kryetar i VMRO-DPMNE.

“Kush si ndjehet, ashtu le të deklarohet”, tha Rangellova.

Sipas PPS, dhuna ka qenë e organizuar nga Gruevski, ndërsa është realizuar përmes përfaqësuesve të eshallonëve më të ulët të partisë me qëllim që të pengohet seanca e këshillit komunal për ndryshimin e planeve të detajuara urbanisitike. Në këtë mënyrë, do të mbroheshin interesat biznesore dhe të partisë. Prokurorja Fatime Fetai tha se është e befasuar nga pranimi i fajit nga ana e Llazarovit.

“Kur i shpjegova arsyet përse u befasova pozitivisht, thash se ky pranim i fajit nga ana e këtij të akuzuari, do të ndikojë pozitivisht edhe ndaj gjithë rrjedhës së kësaj procedure”, u shpreh Fatime Fetai PPS.

Vendimi për Llazarovin do të shqiptohet të premten, ndërsa për të akuzuarit e tjerë, seancat do të vazhdojnë gjatë javës së ardhshme.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU