HAN NESËR NË SHKUP, 2018-ta, DRITARE E ARTË PËR EURO-INTEGRIMET

412
0
SHPËRNDAJE

Johanes Han nesër e fillon vizitën e tij zyrtare dy ditore në Maqedoni. Ardhjen në kryeqytet, eurokomisari për zgjerim e paralajmëroi para disa ditëve në fakt pas takimeve me zëvendës/kryeministrin Bujar Osmani dhe ministrin Nikolla Dimitrov në Bruksel. Në rrjetet sociale Han shkruajti se në Maqedoni po vjen të bisedojë me liderët e partive politike por edhe me sektorin civil. Ai para disa ditësh bëri thirrje për bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës.

“E përshëndesim dhe e respektojmë përpjekjen që të punohet me të gjithë faktorët politik duke e përfshirë edhe opozitën, por për këtë gjë, patjetër ju duhet të keni opozitë konstruktive”, tha Johanes Han, komisar për zgjerim.

Të martën takim me Osmanin dhe Dimitrov kishte edhe shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogerini e cila kërkoi rezultate konkrete nga politika reformatore e vendit.

“Optimizëm i ri, përkushtim i fuqishëm, që na lejon të vendosim fokusin dhe të gjithë energjinë tonë në reformat të cilat u nevojiten qytetarëve dhe të cilat ata i dëshirojnë në rrugën e euro integrimeve të vendit dhe të rajonit”, tha Federika Mogerini, përfaqësuese e lartë e politikës së jasthme të BE-së.

Shefi  i sekretariatit për eurointregrime, Bujar Osmani para disa ditësh për TV21 deklaroi se 2018 është dritare e artë e mundësive, dhe se Maqedonia nuk guxon ta lëshojë këtë mundësi që gjatë vitit të ardhshëm të bëhet pjesë e NATO-s dhe ti fillojë bisedimet me Bashkimin Evropian.

“Duke u bazuar në përvojën e mëparshme, askush nuk mund të garantojë se do të ketë zgjidhje, megjithatë ne jemi optimistë dhe jemi duke punuar për të gjetur zgjidhjen e duhur. Mendojmë se rrethanat janë të tilla, qëndrimi ndaj seriozitetit të problemit të të dyja vendeve është i tillë që të ketë parakushte për zgjidhjen e kësaj çështjeje. E presim propozimin e Nimicit që të mundemi të bisedojmë në mënyrë serioze dhe të gjejmë zgjidhje. Unë jam i bindur se duhet ta shfrytëzojmë vitin 2018 sepse në të kundërtën do të hyjmë në një rreth magjik të riciklimit latent të krizave me të cilat ballafaqohemi gjatë 25 viteve të fundit”, tha Osmani.

Sipas disa informatave jo zyrtare thuhet se kryeministri Zoran Zaev do të ketë drekë pune me eurokomisarin për zgjerim Johanes Han në Klubin e deputetëve ndërsa më pas do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp. Tema kryesore e takimeve do të jetë zbatimi i reformave urgjente prioritare dhe implementimin e planit 3-6-9.

Përgatiti: Antonio Krstevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU