RRUGA E ARBËRIT, STIMUL PËR EKONOMINË, SHKURTOHET DISTANCA PËR PORTIN E DURRËSIT

685
0
SHPËRNDAJE

Vazhdon të mbetet i hapur debati për Rugën e Arbrit. Sipas ekspertëve ky aks rrugor do të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin e ekonomisë në Maqedoni. Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perendimore, Nebi Hoxha theksoi se me ndërtimin e kësaj rruge do të shkurtohej distanca për në portin e Durrësit, i cili është më konkurrues në krahasim me portin e Selanikut, që përdoret nga shumica e tregtarëve të Maqedonisë.

“Është një rrugë e cila do kishte një qasje shumë të shpejtë dhe më të afërt me portin e Durrësit, se e dimë që porti i Durrësit ofron një mundësi shumë të mirë dhe konkurruese në krahasim me portin e Selanikut dhe kompanitë mund të kenë një benefit shumë të madh në një qasje të tillë”, tha Nebi Hoxha, kryetar i OEMVP.

Nga ana tjetër ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski theksoi se qeveria mbetet në qëndrimin e kryeministrit Zaev se do të shihet dhe do të analizohet se çfarë është më e leverdishme dhe më logjike për ekonominë e vendit. Në pyetjen nëse Rruga e Arbërit do të kishte ndikim pozitiv në zhvillimin e ekonomisë së vendit, Sugarevski theksoi:

“Po absolutisht, këtë e tha edhe kryeministri, kështu që qëndroj pas asaj që është thënë edhe më herët”, tha Sugarevski.

Ndryshe me ndërtimin e Rrugës së Arbërit distanca mes Shkupit dhe Tiranës do të shkurtohej për rreth 100 kilometra. Kryeministri shqiptar Edi Rama, në promovimin e kësaj rruge theksoi se Rruga e Arbrit nuk do të jetë  vetëm një aks i brendshëm, por dhe një korridor i rëndësishëm ekonomik në rajon.

Përgatiti: Bajram Memeti

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU