18046 raste aktive me COVID-19 në Maqedoni, javën e kaluar është zvogëluar numri i rasteve pozitive dhe i vdekjeve

TË FUNDIT

Numri i rasteve aktive të Kovid-19 në vend është 18.046 prej të cilave 10.840 janë nga Shkupi. Në repartet infektive në vend janë duke u mjekuar gjithsej 889 pacientë të prekur nga Kovid-19.

Sipas raportit të Institutit për Shëndet Publik në periudhë nga 28 dhjetori 2020 deri më 3 janar 2021 shënohet ulje e numrit të rasteve të reja pozitive, të të vdekurve, si edhe numrit të personave të testuar nga koronavirusi në krahasim me javën para asaj. Janë regjistruar 2329 raste të reja pozitiv nga 33 qytete në shtet me ulje prej 30,9 për qind. Numri më i madh i rasteve të regjistruara janë nga Shkupi (n = 1.086; 46,6 për qind). Përqindja e rasteve pozitive të tstuara të SARS-CoV-2 është 21,6 për qind, një rënie prej 4,1 për qind. Në të njëjtën periudhë, 93 vdekje u raportuan nga 22 qytete, ulje për 27,9 për qind. Numri i njerëzve të testuar për koronavirus është për 17,9 për qind më i ulët. Pas marrjes së dy testeve negative për praninë e SARS-CoV-2 ose përdorimit të algoritmit të ri, 3.884 persona janë shtruar në spital ose janë trajtuar në shtëpi.

Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me Kovid-19 në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është në 84.709, numri i pacientëve të shëruar është 64.104 ndërsa i të vdekurve 2.559.

Qeveria në seancën e 37-të të djeshme e miratoi procesverbalin nga takimi i fundit i Shtabit kryesor koordinues të krizave për të siguruar koordinimin e plotë në lidhje me parandalimin e futjes dhe përhapjes së Covid-19, me ç’rast Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe i informoi anëtarët e Qeverisë se pas negociatave intensive kanë siguruar sasi të vaksinave për tërë vitin 2021, që nga kompania “Fajzer” priten mbi 5.800 vaksinat e para nga kompania dhe se negociatat janë duke u zhvilluar me kompani të tjera, kumtoi shërbimi për shtyp i qeverisë.

Ministri Filipçe informoi se dukshëm është zvogëluar presioni në spitale dhe se kapacitetet akomoduese të personave të prekur nga Kovid-19 janë gjysmë të zbrazëta dhe është konstatuar se masat të cilat u sollën nga Qeveria gjatë periudhës së fundit, ndërsa të cilat kanë të bëjnë me zvogëlimin e përhapjes së koronavirusit kanë sjellë rezultate.

Në seancë, Qeveria e miratoi informacionin për dhënien e pëlqimit për ndërmarrjen e detyrimeve Ministrisë së Shëndetësisë për furnizimin e vaksinave për imunizim të vazhdueshëm dhe vaksinave sipas indikacioneve epidemiologjike për nevojat e popullatës për periudhë trevjeçare nga janari 2021 deri në dhjetor 2023, thuhet në kumtesë.

Kryetarja e Këshillit Inspektues, Magdalena Grashkoska dje në konferencën e rregullt për shtyp u bëri apel të gjithë qytetarëve dhe biznesmenëve që të respektojnë masat gjatë festave.

“Të festojmë me përgjegjësi, në rrethin e ngushtë të familjes, të përmbahemi nga festime dhe të mos ketë grupime. Shërbimet inspektuese kompetente edhe gjatë ditëve të ardhshme do të zbatojnë kontrolle intensive në terren, me qëllim që të parandalohet përhapja e koronavirusit”, tha Grashkovska.