Ndërron jetë kompozitori dhe dirigjenti Kristë Lekaj

TË FUNDIT

Në moshën 85-vjeçare ndërron jetë kompozitori dhe dirigjenti i njohur, Kristë Lekaj. Lajmin e ka bërë të ditur Filarmonia e Kosovës.

Lekaj është lindur në Shkup më 1935. Ai ka kryer shkollën e mesme të Muzikës në Prizren, ka diplomuar në seksionin e teorisë së muzikës në Akademinë e Muzikës në Beograd. Për një kohë, disa vjet ka qëndruar në Tiranë për të marrë mësime nga Çesk Zadeja, në fushën e kompozimit. Pas studimeve është kthyer në Prizren, ku ka punuar si pedagog në shkollën e muzikës.

Pas Prizrenit Lekaj ka ardhur në Prishtinë, ku krahas punës pedagogjike në shkollën e Lartë Pedagogjike – Dega e Muzikës, deri në pensionim, ka punuar në seksionin e muzikës në Radiotelevizionin e Prishtinës.

Ai ka qenë aranzhues i shumë këngëve të muzikës argëtuese si dhe dirigjent. Opusi krijues i tij përbëhet nga një numër jo shumë i madh i veprave të muzikës serioze, ndër të cilat janë: poema simfonike “Trualli betohet”, “Impresione simfonike” për orkestër, “Suitë korale” për kor miks, muzika e filmit, “Proka” e të tjera.

Vdekjen e Lekajt, Filarmonia e Kosovës e ka quajtur humbje për muzikën e artin në Kosovë.