ANGJUSHEV NUK NDJEN PËRGJEGJËSI, “AKUMULATORËT” KUSHT PËR HYRJE TË INVESTIMIT TË HUAJ

633
0
SHPËRNDAJE

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev nuk ndjen përgjegjësi sepse konsideron se nuk e ka keqpërdorur funksionin shtetëror gjatë heqjes së doganës për import të akumulatorëve elektrikë me litium. Pas publikimit të vendimit qeveritar, reaguan menjëherë nga opozita duke akuzuar se njeriu i dytë në qeveri po përgatit terren për profit personal, sepse sipas tyre, akumulatorë të tillë shfrytëzon vetëm kompania e Angjushevit “Brako”, që merret me prodhimin e mjeteve elektrike. Në anën tjetër, Angjushev siguron se ky vendim është një nga kushtet për hyrje të një kompanie të huaj për të investuar në Maqedoni dhe shtoi se kompania e tij nuk do të ketë kurrfarë interesi nga heqja e doganës.

G: A do të ketë kompania juaj beneficion nga kjo?

“Kompania Brako është si çdo kompani tjetër në Maqedoni. Ajo merret me prodhimin e kamionëve elektrikë dhe për momentin nuk do të ketë beneficion, sepse të gjithë prodhimin e eksporton jashtë”, u shpreh Koço Angjushev, Zv/Kryeministër për Ekonomi.

Dje, opozita akuzoi se qeveria shtetin e ka shndërruar në firmë private e cila punon për nevojat e partisë në pushtet. Në vend se të punojë për qytetarët, kjo qeveri po punon vetëm për interesat e klanit të Zaevit dhe të multimilionerit Angjushev, akuzojnë nga partia opozitare VMRO-DPMNE.

“LSD po vihet në funksion të zëdhënësit të qeverisë dhe po tenton ta arsyetojë vendimin e qeverisë për heqjen e doganës për akumulatorët që në Maqedoni i shfrytëzon vetëm firma e Koço Angjushevit. LSD po i manipulon qytetarët dhe nën maskën e “mbrojtjes së mjedisit jetësor”, po i rrit tatimet të cilat do t’i paguajnë qytetarët më të varfër, ndërsa për më të pasurit, realizon lirime tatimore dhe doganore. Kjo është barazia dhe solidariteti që e premtonte LSD-ja”, nga VMRO-DPMNE.

Kjo nuk është hera e parë që vëmendja e opinionit të orientohet kah zëvendëskryeministri Angjushev. Edhe para se ai të emërohej nënkryetar i qeverisë, doli afera se ai ka një firmë partneriteti të regjistruar në Belize. Më pas, pasoi edhe një tender i kontestueshëm i kompanisë ELEM në të cilin mori pjesë kompania e tij Feroinvest. Në këtë rast, Angjushev arsyetohej se nuk ka konflikt interesash, sepse, siç pohonte, ai është vetëm pronar, ndërsa drejtues të firmës janë persona të tjerë.

Përgatiti: Ile Petrevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU