Arritën në Greqi mbi 83.000 doza të vaksinës Fajzer/BionTek

TË FUNDIT

Dërgesa e parë e madhe për Greqinë me 83.850 doza të vaksinës Fajzer/BioTek mbërriti në aeroportin e Athinës herët në mëngjes me një kargo aeroplan special të DHL, raporton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

I gjithë procesi i mbërritjes u monitorua nga zëvendësministri i Mbrojtjes Civile të Greqisë, Nikos Hardalias dhe vaksinat u transferuan nga aeroporti në pesë dhomat e veçanta ku ato ruhen dhe nga ku do të shpërndahen në spitale.

Është planifikuar që gradualisht deri në fund të marsit, Greqia ta marrë 1.255.800 doza të vaksinës vetëm nga Fajzer.

Paralelisht me vaksinat e para, gjegjësisht 9.750 doza që mbërritën të shtunën, procesi i vaksinimit të personelit mjekësor në spitalet e Athinës vazhdon, ndërsa sot fillon vaksinimi i punonjësve shëndetësorë në qytetet greke të Patras, Selanik, Larisa dhe Janina.

Sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë së Greqisë, Marios Themistokleus, tha dje se 471 njerëz ishin vaksinuar në pesë spitale në Athinë deri në orën 4 pasdite dhe u regjistrua një rast i një reaksioni alergjik, i cili nuk ishte serioz dhe u trajtua me sukses.

Përveç punonjësve shëndetësorë, vaksinohen edhe anëtarët e Qeverisë greke. Dje, vaksinën e kanë marrë katër ministra, ndërsa procesi vazhdon edhe sot.